Punëtorët e sigurimit fizik të QKUK-së në protestë, nuk përjashtohet greva

Punëtorët e sigurimit fizik të QKUK-së në protestë, nuk përjashtohet greva

Paga e ulët dhe në kundërshtim me atë minimale, moszyrtarizimi i shujtës brenda orarit të punës dhe pagesa për ekzaminime, janë ndër arsyet për të cilat kanë protestuar sot punëtorët e sigurimit fizik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës para drejtorisë së administratës në QKUK.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha se këta punëtorë vazhdojnë të marrin pagën 275 euro, ani pse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale në Kosovë të mos mbetet nën 350 euro.

Sipas Azemit, ushqimi brenda QKUK-së disa herë hedhet dhe nuk u jepet punëtorëve të sigurimit fizik, për çka kërkoi që të zyrtarizohet vendimi për ushqimin e tyre.

Azemi theksoi se nëse brenda dy javëve nuk merren parasysh kërkesat e punëtorëve, ata do të hynë në grevë.

Se nuk kanë kurrfarë të drejtash dhe se janë të shkelur totalisht e tha njëri nga punëtorët e sigurimit fizik në QKUK, Jakup Mukulani. Ai u shpreh se është sfiduese t’ia dalin mbanë më këtë pagë.

Sipas tij, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia u ka thënë se meqë këta punëtorë paguhen nga kompanitë private, nuk ka se çfarë të bëjë në këtë drejtim.

Në shtator të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale duhet të jetë 350 euro.

Për po të njëjtat pakënaqësi edhe punëtorët teknike të Kuvendit të Kosovës po mbajnë grevë tash e tre muaj. Para pak ditësh, këto të fundit janë zëvendësuar me punëtore të reja, pa paralajmërim.

Shpërndaje në: