Punë, jo llafe!

Punë, jo llafe!

Shkruan: Ismail Tasholli

Kur mungojnë veprimet në politikë, ose kur bëhen gabime në veprime, fjalët luajnë vetëm një rol, ndërtimin e alibisë. Bëhen lojë e parëndësishme, madje e dëmshme, që qëllim kanë vetëm “zbavitjen” dhe arsyetimin para një audience.

Këta që qeverisin sot, dje ishin opozitë dhe e kanë të domosdoshme kapërcimin e menjëhershëm nga fjalët te veprat.

Mënyra që kanë zgjedhur është kurthurimi i tyre në të kaluarën përmes të tashmes edhe pse rëndom ndodhë e kundërta.

Politika e Qeverisë është reduktuar në “maqinë semantike”, ku provohet që të gjitha kundërthëniet e tyre të integrohen brenda ligjërimit të saj politik.

E para është, se kjo “ndërmarrje” ka kosto të madhe energjie që ka rezultat qesharaken, e dyta, redukton politikën në inkoherenca llafosëshe.

Oratoria si domosdoshmëri për shitjen e mallit politik nuk është se e vetme mund të mbijetojë. Llafet nuk është se harrohen, por harxhohen kur puna mungon.

Në vend se kjo qeveri ta mbledhë veten për ndonjë punë të mbarë, po e ndërton vetëkënaqësinë mbi krahasimin e izoluar me të tjerët, duke u futur në burgun e gjuhës që arsyetimin e gjithçkafit ka qëllim dhe kundërshtarin politik si arsyetim të ekzistencës së saj.

Ajo më shumë po ia kushton kohën të kaluarës se qytetarit dhe po shpenzon ditët kot.
Keqpërdorimi i fjalëve ka hakmarrjen në fund sepse gjuha të shiton me marrëzi duke ta rezervuar ekskluzivitetin e shndërrimit në njeriun që mimikrinë ka “esencë”.

Kjo duhet të jetë brengë serioze për të gjithë ata që merren me politikë. Nuk është e mundur që të ndërrohen “realitete” vetëm përmes fjalëve për pa i hangër gjysmën e tyre. Prandaj, fjalët nuk janë macë me të grithë, fjalët memorizohen, ato i hakmerren njeriut që s’iu del zot atyre.

Shpërndaje në: