PSG triumfon në Superkupën e Francës
Paris Saint-Germain e ka fituar Superkupën e Francës (Trophee des Champions) duke mposhtur Nantes.
Kampionët e Ligue 1 mposhtën fituesen e Kupës së Francës me rezultatin 4:0, në një ndeshje ku shkëlqyen Lionel Messi e Neymar JR.
Shtatë herë lojtari më i mirë në botë, Messi hapi serinë e golave në këtë ndeshje. I asistuar nga Neymar, Messi kaloi edhe portierin në minutën e 22’ për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij.
Braziliani Neymar doli në skenë në minutën e 45+5’, kësaj radhe si golashënues. Ai goditi saktë nga gjuajtja e lirë, për të bërë që PSG të shkonte në pushim me dy gola epërsi.
Në pjesën e dytë, skuadra e Christophe Galtier gjeti golin edhe dy herë të tjera.
Sergio Ramos shënoi në minutën e 57’, kurse në minutën e 82’, një minutë pasi Nantes mbeti me 10 lojtarë kur Castelletto u ndëshkua me të kuq, Neymar shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për PSG, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Kështu, Galtier fiton trofeun e parë me PSG. Ai vjen në formën e ‘Trophee des Champions’.