PSG nuk ia lejon Messit të parakalojë me Kupën e Botës në “Parkun e Princave”
Paris Saint-Germain ka vendosur të mos lejojë fituesin e Kupës së Botës, Lionel Messin, të parakalojë trofeun në stadiumin “Parku i Princave”, për shkak të një mundësis së një reagimi jo të duhur të tifozëve, pasi që ishte Messi bashkë me kombëtaren e tij argjentinase, që e mposhtën Francën në finale.
PSG sot do të ndeshet me Angers në Ligue 1, në atë që do të jetë ndeshja e parë e Messit që nga finalja e Katarit 2022, më 18 dhjetor.
Gazeta franceze Le Parisien ka raportuar se klubi nuk do të lejojë kapitenin argjentinas të parakalojë me trofeun e Kupës së Botës në terrenin e tyre – shpesh zakon për fituesit – mes frikës së vërshëllimeve dhe sulmeve të mundshme nga tifozët parisienë.
Për më tepër, Le Parisien shkruan se klubi mendon se roja e nderit që iu dha Messit pas kthimit të tij në stërvitje ishte një mirëseardhje e mjaftueshme për fituesin e Kupës së Botës, duke përmendur gjithashtu diferencën prej tre javësh e gjysmë si një faktor tjetër kontribuues.