Pse veshjet e ‘Pretty Woman’ vazhdojnë të frymëzojnë modën edhe sot?

Pse veshjet e ‘Pretty Woman’ vazhdojnë të frymëzojnë modën edhe sot?

30 vite pas publikimit të filmit kult amerikan, veshjet e Julia Roberts në “Pretty Woman” vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Fabula e filmit të 1990-ës është e njohur për të gjithë: Vivian Ward, një prositutë e re, takon në bulevardin e Holywood-it një milioner të pashëm të quajtur Edward Lewis, i interpretuar nga Richard Gere. Biznesmeni dëshiron ta ketë përkrah tij, përgjatë një jave që do të qëndrojë në Los Angeles për punë.

Përreth dy orë, filmi tregon evolucionin e një vajze rruge, në një grua elegante, të vendosur të marrë në dorë jetën e saj. Shndërrimi i gardërobës së Vivian nga fustani i shkurtër elastik e deri te xhaketa blu, është i jashtëzakonshëm.

E gjitha nisi nga minifustani – që ishte shumë i sikletshëm, sidomos për Edward, i cili më pas e shoqëroi Vivian për shopping duke e këshilluar të mos merrte asgjë të ekzagjeruar dhe më shumë seksi nga sa duhej. Dhe ajo zgjodhi të ndiqte këshillën e tij, duke qëndruar tek elegantja dhe klasikja. Një zgjedhje që nuk mund të jetë kurrë e gabuar.

Çfarë i bëri të pavdekshme veshjet e Vivian?

“Rrugëtimi i Vivian fillon përmes modës, kur ajo kërkon ndihmë për të ndërruar gardërobën e saj, në mënyrë që të përshtatet me stilin e jetës dhe klasin e Edward-it. Çdo fustan, përfshirë edhe fustanin e kuq, është realizuar posaçërisht për personazhin e saj, duke u bërë gjithçka në stil couture”, -është shprehur kostumografja e filmit, Marilyn Vance.

Veshjet e “Pretty Woman” janë një pikë referimi dhe burim frymëzimi për modën e ditëve të sotme.

Ndoshta fustani më ikonik është ai i ndeshjes së polos, në ngjyrë kafe me pika të bardha. Një fustan që duket se nuk ka dalë kurrë nga moda dhe tregon klas dhe elegancë në çdo kohë.

Fustani i kuq është po ashtu një tjetër veshje e pavdekshme. Edhe pse fillimisht ishte hedhur ideja që fustani të ishte i zi, Marilyn Vance ishte e bindur që e kuqja do të kishte një impakt krejt tjetër. 20 vite pas filmit, në një intervistë për Elle, Vance është shprehur se kërkesat për këtë fustan kanë qenë jashtë çdo parashikimi për vite me radhë.

Sigurisht, hijeshinë pamjes ia shtonin edhe bizhuteritë. Varësja dhe vathët në flori të bardhë 18 karatë dhe me gurë rubinë e diamantë, shkonin në vlerën e 250 mijë dollarëve.

Një tjetër veshje që duket shumë aktuale edhe sot është edhe këmisha e bardhë e kombinuar me një minifund dhe këpucë me majë e takë të hollë.

Tentativat për imitim nuk kanë fund përgjatë këtyre 3 dekadave. Vitet e fundit është vënë re një ringjallje e vazhdueshme e fustanit me pika. Marka të shumta, e sidomos ato ‘low cost’ janë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzohen nga gardëroba e Roberts në “Pretty Woman”. Pa folur pastaj për momentin e artë që xhaketa po përjeton.

Në këtë pikë, mund të themi se ekzemplarët që kemi parë në film janë pothuajse të gjithë për t’u huazuar, pasi janë edhe sot shumë në modë – nga e kuqja transgresive, në fillim të filmit, e deri te ngjyra pjeshkë e kostumit me pantallonat bermuda.

Po ashtu, veshja e xhinseve me një bluzë të bardhë e xhaketë blu është pa dyshim një pamje që duket shumë trendy edhe sot pas 30 viteve.

Moda mund të shkojë e kthehet shumë herë, por stili dhe gardëroba e këtij filmi do të mbetet një frymëzim, sepse një xhaketë blu është si një diamant – përgjithmonë.

Shpërndaje në: