Pse u përdhunuan dhe pse u heshtën gratë kosovare?

Pse u përdhunuan dhe pse u heshtën gratë kosovare?

Dje një e mbijetuar e dhunës seksuale në Kosovë e kallëzoi publikisht përjetimin e saj. Ama kësaj here armiku nuk është shoqëria serbe, por ajo kosovare. Arritja e saj e djeshme është në relacion me shoqërinë tonë, dhe jo me regjimin apo shoqërinë serbe. Fjalët e saj kanë peshë vetëm kur si kundërpeshë i vëmë heshtjen 20 vjeçare të të gjitha grave të dhunuara. Një heshtje e diktuar nga vlerat e kësaj shoqërie. Nga kapitali i madh turpërues e përbuzës që zotëron, dhe nga lëngimi për t’i vendosur vlerat përmes pëshpëritjes e përgojimit.

Dy gjëra kanë rëndësi nga ajo që pamë dje: 1) zonja në fjalë nuk jetonte në Kosovë, por në Amerikë dhe 2) burri i saj nuk ishte pjesë e kësaj shoqërie.

Thuhet se gjatë luftës në Kosovë janë dhunuar seksualisht 20 mijë vetë, kryesisht gra. Ky rod i çuditshëm, ani që vetë viktimë, nuk e duron fjalën e viktimës. Në diskursin publik mosdurimi për këta njerëz shprehet me frazën “Mos u viktimizo!” Por, ajo që është e ndalueshme për individët, është e lejueshme për shoqërinë. Viktimizimi ishte gurthemel krimesh në të kaluarën [për fat të keq edhe për palën tjetër] dhe mbetet element qëndror i kultivimit të nacionalizmit tonë kundrejt ‘tjetrit’, Serbisë.

Për një individ-viktimë, viktimizimi mund të jetë e vërteta e tij/saj, dhe poashtu arma e luftës brenda një shoqërie përgojuese. Të mos durosh fjalën e këtyre njerëzve nënkupton t’i çarmatosësh dhe të pezullosh atë të vërtetë. Rrëfimi publik i djeshëm është një ndodhi e rëndësishme. Ama, ka rëndësi vetëm nëse nuk e lëmë të pazbërthyer periudhën e gjatë të heshtjes. Nëse nuk e lëmë të pazbërthyer stigmën që u ngjit pakursim e pamëshirë nga shoqëria.

Së pari, dhunimet masive seksuale ndaj grave në luftë nuk përbëjnë akt spontan, sa për t’i shfryer koçet. Ato përbëjnë një komunikim të caktuar mes palëve ndërluftuese. Një komunikim vlerash patriarkale. Pala serbe e dinte se rreth çkaje gravitonte burrëria shqiptare dhe nderi i saj. Njësoj si me boshnjakët, poshtërimi dhe zhburrërimi, ishte përtej zonave e llogoreve të luftës. Përtej vetë trupit të luftëtarëve. Poshtërimi e zhburrërimi ndodhte kur prekej trupi i gruas. Kur prekej në veçanti organi i saj seksual – një mall këmbimi dhe një pikë nderi. Kishim të bënim me një veprim të mirëmenduar strategjik. Ku gruaja, shqiptare apo serbe qoftë, nuk bëhej hesap.

Imagjinoni sikur menjëherë pas lufte, mijëra gra të rrëfenin publikisht atë që kishin përjetuar. Edhe kultivimi i kujtesës kolektive mbi luftën, ligjërimi mbi luftën, do të ishte krejtësisht i ndryshëm.

Ashtu siç ishte strategjik dhunimi i grave nga ushtarët serbë, ishte edhe mbyllja e gojës së viktimave për kaq shumë kohë. Dhe sot, lufta mund të jetë humbur. Sepse, kujtimet për të nuk janë më të freskëta. Sepse, rrëfimi për luftën nuk e ka përfshirë fjalën e tyre. Dhe sepse, nga largësia e madhe kohore, shoqëria tashmë i ka veshët e mëshelur. Rrëfimi i zonjës Krasniqi mbrëmë, nuk ia prish terezinë askujt – biles, për më keq, përdoret si një tjetër element për të shfryer sharje ndaj ‘tjetrit’ dhe për ta himnizuar veten.

Ky rast nuk do të duhej të përdorej për mbjellje të urrejtjes ndaj shoqërisë serbe. Jo, faji është tjetërkund. Faji është te patriarkaliteti. Faji është te vlerat dhe metodat përmes të cilave kjo shoqëri i vendos dhe mirëmban ato.

Mos të harrojmë: kjo shoqëri vazhdon të kryejë dhunë ndaj grave përditë: iu jep dajak, ua mohon të drejtat, i vendos barrë morale njëqind herë më të rëndë se burrave, dhe i degdis në fjalë të rënda që përkthehen pastaj në pozicione të tmerrshme sociale.

Shpërndaje në: