Pse të pakënaqurit e VV’së nuk po krijojnë parti të re?

Pse të pakënaqurit  e VV’së nuk po krijojnë parti të re?

 

Që nga plasja e luftës sa virtuale e sa verbale brenda VV-së, e deri në debatin e para 2-3 nete mes Konjufcës dhe Molliqajt, pyetja kryesore që po vërtitet në kokat e mesatarëve kosovarë është përse të pakënaqurit nuk po nisin subjekt të tyrin të ndarë përfundimisht nga strumbullari partiak. Mbase ngutia e tërë zhvillimeve që ngjanë aty ndikoi që para pyetjes ‘si’, të shtrohet pyetja ‘kur’. Në fakt kjo pyetje mishëroi tërë opinionin akoma të paqenë publik që kemi: vulgu i brumosur me shpotinë e shitur si informacion e si komunikim publik, mezi s’priste të dinte kur do të ngjajë ndarja (burim i shpotisë është folurit për njëri tjetrin, dhe jo me njëri-tjetrin, mu siç ngjau edhe në komunikimin e famshëm të rrjedhur nga viberi).  Por ajo që u pa vetëm pak kohë më pas,  jo vetëm nga akterët që i fryen ndarjes, por edhe nga të gjithë ne qe fakti se  paracaktimi i kohësisë së ndarjes nga një subjekt siç është VV-ja, prezumon jo pak dilema.

Në fakt për secilin subjekt tjetër politik në këtë vend funksionaliteti vije para ontologjisë. Partia shihet as më pak e as më shumë se grup interesi i shkoqitur nga idealizmi kolektiv e paravajtjet revolucionare. Dhe në kushte të tilla politikbërja është gjëja më e lehtë e mundshme: meqë funksionaliteti kërkon vetëm shkathtësi shumë fytyra politike e publike në vend, nuk e kanë pasur gajle që tërë karrieren e tyre politike ta ndërtojnë mbi ‘si’, dhe jo mbi ‘pse’. Të tilla janë tipat si Ilir Deda p.sh. Ontologjia e vetme e kësaj figure politike mund të konsiderohet ontologjia e negacionit: nuk shkon me krahun e luftës (përjashto kohën e këshuilltarisë në kohën e Bajram Rexhepit). Tjeterku, ku të mundet. Pse jo edhe në konferenca për shtyp të LDK-së, siç bëri hiç më larg se dje. Ngjashëm mund të thuhet se është edhe Abdixhiku, veçse ky ka qenë më ekonomik në numrin e kalimeve të tij.

Por plasaritja e krijuar brenda VV-së po dëshmon se është e një natyre tjetër krahasuar me oborrin e funksionalizmit, për të mos thënë se nuk i takon fare atij oborri.  Kjo për faktin se edhe anëtari më oportun/pragmatist i atij subjekti për kohën sa ka qenë brenda, nuk ka mundur t’i shpëtojë njëlloj gardhimi ontologjik, goxha rëndues që anëtarit i përkujton(te) PËRSE është aty. Kjo ka derivuar nga njëlloj investimi shpirtëror, jorrallë edhe mazokist që e ka karakterizuar Lëvizjen, blatuar sidomos pas dy viktimave të 10 shkurtit 2007. Kësodore përkujtimi pse je pjesë e Lëvizjes, gjithmonë ka mbipeshuar strategjinë: si të funksionosh benda Lëvizjes, respektivisht se si funsionon  vetë Lëvizja.

Dhe tani ngjan se mu këtu fle hutia e të pakënaqurve të përballur tashmë me boshllëkun orientimor. Sepse investimi shpirtëror për vite, pjesëtaria me aq dell në një trasë të tillë kohore brumosur në veprim/aktivizëm, nuk lejon kalime fluturake a divorc buzagaz. Me fjalë tjera, sado që Aida Dërguti & Co, dy vitet e fundit për shumëkë nisën të ngjajnë në tipa social e politik që kanë pranuar rregullat e lojës (shenjtërinë e intervencionizmit amerikan/ndërkombëtar, kapitalizmin vulgar,  lidhjet me media e caktuara), prapaseprapë del se e kaluara e përbashkët po i hakmirret mospajtimeve, dallimeve e ndërskamcave të 1-2 viteve të fundit.

VV ka lindur për ndaluar davaritjen më tej të nacionalizmit dhe majtizmit shqiptar, në një kohë kur përmes decentrializimit etnik po shkohej kah ndarja (së paku po forcoheshin idetë mbi ndarjen), përkatësisht përmes privatizimit e kapitalizmit vulgar (të kapur më së shumti nga krahu i luftës)  kah shlyerja e çdolloj të menduari sociokonomik me fytyrë njeriu. Është fare e kuptueshme se kjo për aq sa ka qenë një ndërmarrësi që duhet duartrokitur (akoma as që mund ta imagjinojë opozitarizmin në këtë vend pa VV-në) ka krijuar edhe një lloj skizofrenie mendësore e shpirtërore të vetë subjektit, qysh para plasaritjes, për të mos thënë që nga fillimi.  A mos jemi të vonuar? A ta pranojmë a të mos e pranojmë sistemin? A ka shpresë kauza jonë etj? Po të lëshohemi edhe më në eter, shpjegimet mbi hezitimin e të pakënaqurve dalin edhe me të thella: sa mund t’ia dalin mbanë profilizimet nacionaliste e majtiste në një Ballkan që në krejt diskurset politike të qendrave vendosëse brendashkruhet si një paralagje që pritet ti bashkangjitet Europës. bibe që i vihet pas të ëmës kapitaliste? Aq më shumë sa mund të jesh i pasuar nëse brenda nate pretendon se i ke lënë edhe nacionalizmin edhe majtizmin? Dhe krejt kjo në shoqëri që as shoqëri s’është, meqë gjëja e parë që mund të presësh nga ajo është bishtnimi ndaj thirrjeve idealiste e kolektiviste.

Të pakënaqurit duke u ankuar për lëvizje të ngadalashme të anijes në mes të detit, po harrojnë se mund të mos dijnë not. Ngjashëm siç po harrojnë se edhe nëse provojnë notin mes oqeanit, mbështetje nga përreth nuk do të ketë, meqë ekuipazhi i anijes mendohet se ia del vetë mbanë apo jo? Kjo sepse pyetja përse, një kohë e një vend i ka paraprirë pyetjes si dhe kur.

 

Shpërndaje në: