Pse ShBA-të mbështesin idenë e korrigjimit të kufijve? Kush qëndron pas?
Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo ka qenë i zënë me Korenë e Veriut, Iranin dhe tash edhe me krizën që shkaktoi zhdukja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Politika amerikane në Evropën Qendrore dhe Lindore kësisoj është lënë në duar të një akademiku që vetëm një vit para emërimit nuk kishte kurrfarë eksperience në diplomacinë amerikane.
Prej që u bë asistent sekretar i shtetit për çështje Evropiane dhe Evroaziatike në vjeshtën e kaluar, A.Wess Mitchell ka shpërfillur politikën e epokës së Obamës e cila e vinte në fokus shkeljen e të drejtave të njeriut në vende si Hungaria, në favor të një politike që i sheh këto qeveri autoritare rajonale si partnerë potencialë.
Logjika, thonë disa, është që më mirë të kemi një mënyrë për t’i larguar këto vende nga ndikimi rus. Të tjerë brengosen që riangazhimi me këto qeveri përfundon në fuqizimin e ideologëve që besojnë se po merren me administrata të ngjashme me to.
Departamenti i Shtetit refuzoi ta linte Mitchellin të jepte intervistë.
Mitchelli është një i emëruar politik, por përvoja e tij nuk ka të bëj me politikën. Para se të vinte në Departamentin e Shtetit, ai ishte pjesë e Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane [CEPA], një organizatë hulumtuese joprofitabile në Washington që fokusohet në Evropën Qëndrore dhe Lindore por edhe në Rusinë. Ai ka qenë pjesë e atij institucioni që nga viti 2006, së pari si drejtues hulumtimesh e më vonë edhe si president i saj.
Ai poashtu ka shërbyer në bordet e këshillimit në institute nga rajoni, përfshirë Komisionin Sllovak të Atlantikut dhe Qendrën e Pragës për Relacione Transatlantike. Ai flet gjermanisht dhe e mori doktoratën e tij në shkenca politike nga Universiteti i Lirë i Berlinit. Shkurtimisht, ai e ka ndërtuar karrierën e tij nga hulumtimi, duke menduar e duke shkruar për Evropën, dhe në veçanti për Evropën Qëndrore dhe Lindore.
Mitchelli u konfirmua nga senati në fundshtatorin e vitit 2017. Ai u soll jo nga Pompeo por nga paraardhësi i tij, Rex Tillersoni.
Duke e pasur shefin të preokupuar me çështje më të mëdha, ai padyshim se është bërë diplomati kryesor në administratën e Trumpit që merret ekskluzivisht me Europën dhe Euroazinë, një rajon që përmes përvojës së tij akademike, e ka kthyer në një lloj të tabelës së shahut gjeopolitike.
Merrni si shembull rastin e Hungarisë, e cila në vitet e fundit i ka zmbrapsur organizatat e shoqërisë civile, median e pavarur, emigrimin dhe ata që do t’iu ofronin ndihmë atyre dhe azilkërkuesve dhe që publikisht e kanë luftuar Bashkimin Evropian dhe George Sorosin, miliarderin e lindur në Hungari.
Nën Obamën, ishin vënë sanksione ndaj gjashtë individëve të lidhur me qeverinë për aktivitetete të perceptuara nga ShBA-të si minuese të demokracisë. Sanksionet thuhet të ishin vepër e paraardhëses së Mitchellit, Victoria Nulandit.
Nga 2012-a e tutje, nuk ka pasur takime mes zyrtarëve të administratës së Obamës dhe zyrtarëve të nivelit të lartë të qeverisë hungareze, një politikë që vazhdoi edhe në administratën e Trumpit. Në nëntor të 2017-s, Buroja e Demokracisë, Të drejtave të Njeriut dhe Punës në Departamentin e Shtetit të Trumpit njoftoi se 700 mijë Dollarë ishin ofruar për të ndihmuar qytetarët që të rrisnin “qasjen për informacione objektive rreth çështjeve të brendshme dhe globale në Hungari.”
Por më vonë, në fund të majit të 2018-s, kjo ndryshoi. Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Peter Szijjarto erdhi në Washington dhe u takua me Sekretarin e Shtetit Pompeon dhe me këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton. Jzijjarto i dha Mitchellit merita për ndryshimin. “Ai ishte i aftë të shtyente përpara, me fuqinë e tij politike, një farë ndryshimi në këtë aspekt,” i tha ai BuzzFeed Newsit në atë kohë.
Deri në korrik, Departamenti i Shtetit e kishte anuluar njoftimin e dhënies së grantit për media të pavarura dhe tha që paratë mund të përdoreshin tjetërkund. Burime që kishin dijeni për çështjen në fjalë thanë që plani ishte prishur edhe para se fituesi të zgjidhej.
Disa të tjerë spekuluan që ky ndryshim kishte ardhur shkaku i lidhjeve të mëhershme profesionale të z.Mitchell me Hungarinë – CEPA kishte marrë 25 mijë Dollarë shpërblim nga qeveria e Hungarisë më 2017. Ndërsa disa e morën atë si një lidhje të natyrshme mes të ngjashmeve, qeverisë anti-emigracion të Orbanit dhe administratës së Trumpit.
Por një diplomat evropian në Washington me dijeni për vendimin për ta takuar Szijjarton tha që lëvizja kishte të bënte më shumë me Rusinë se sa me emigracionin.
Në fund të 2017-s, Ukraina e kaloi një ligj që ndalonte mësimin e gjuhëve minoritare. Ligji thueh të ishte drejtuar ndaj Rusisë por që poashtu prekte mësimin e hungarishtes për pakicën e konsiderueshme hungareze në Ukrainë. Përgjatë 2018-s, tensionet mes Ukrainës dhe Hungarisë u rritën, duke i lënë liderët perëndimor të brengosur që Budapesti, tashmë miqësor me Moskën, do t’i prishte punët me BE-në mbi sanksionet ndaj Rusisë për përfshirjen e saj në Ukrainë dhe të bllokonte anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe në NATO.
Kësisoj, Mitchelli kishte aranzhuar takimet mes Szijjartos dhe Pompeos e Boltonit.
As Ambasada hungareze në Washington dhe as Departamenti i Shtetit nuk komentuan për atë se pse ishin aranzhuar këto takime.
“Me të,” tha diplomati evropian për Mitchellin, “gjithçka është gjeopolitikë.” Nëse Washingtoni dëshirën të ndalojë Budapestin që të shkojë në Moskë, rrjedhon mendimi, atëherë duhet ta sjellë Budapestin në Washington.
Por aktivistët e të drejtave të njeriut argumentojnë se megjithëse strategjia tingëllon praktike nuk ka funksionuar më mirë se strategjia e administratës Obama për të injoruar zyrtarët e lartë të Hungarisë.
“Gjërat janë bërë edhe më keq,” tha Zselyke Csaky, drejtoreshë hulumtuese për Evropë dhe Euroazi në Freedom House. Ai iu referua takimit të shtatorit mes presidentit rus Putin dhe atij hungarez Orban në shtator, dhe faktit që më 4 tetor Hungaria dhe Ukraina ia kishin përzënë diplomatët njëra-tjetrës.
“Nëse ShBA-të vërtet duan të luftojnë ndikimin rus dhe atë kinez, mënyra më e mirë për ta bërë është që të sigurohen se shtetet e Evropës Lindore dhe Qëndrore janë të forta dhe me demokraci të gjalla,” shtoi ajo. “Rusia ka shansin që të prish lojën sepse institucionet janë të dobta dhe të lehta për t’u manovruar.”
Në Kongres, poashtu, disa hamenden nëse vërtet strategjia e Mitchellit është aq strategjike. Marcy Kaptur, demokrate nga Ohio, i dërgoi letër atij duke e pyetur se pse ishte anuluar granti për media.
Hungaria nuk është vendi i vetëm për të cilin Mitchelli e ka ndërruar politikën. Ai poashtu, thonë disa burime, mbështet mundësinë që Serbia dhe Kosova të bëjnë shkëmbim territoresh ose korrigjim kufijsh. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq tash e një kohë të gjatë ka shtyer përpara një ide të tillë, si politikë të ndarjes. Vuçiqi edhe vetë kritikohet si një aspirues për t’u bërë autoritar; në shtator, ai iu tha serbëve në Kosovë që Sllobodan Millosheviqi ishte “lider i madh serb.” Millosheviqi gjerësisht konsiderohet s përgjegjës për krimet e luftës dhe gjakderdhjen e madhe në Ballkan në të 90-at, përfshirë fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe madje ishte në proces gjyqësor për krime lufte në Hagë ku vdiq më 2006.
Për shumë vite, bisedat për ndryshime kufijsh apo shkëmbim territore ishin të ndaluara nga amerikanët, me shqetësimin se një lëvizje kufijsh në Ballkan do të sillte edhe më shumë dhunë në Kosovë. Poashtu kishte shqetësime se një ndryshim i mundshëm kufijsh do t’i shtynte edhe të tjerët në rajon që ta bënin një gjë të tillë, në veçanti Milorad Dodikun, liderin nacionalist serb në Bosnje që kërkon ndarje të pjesës serbe të Bosnjes – dhe që fitoi ulëse presidenciale gjatë këtij muaji.
Michelli nuk është i vetëm në mbështetjen për një marrëveshje të tillë – Boltoni e ka thënë një gjë të tillë publikisht. Dhe për dallim nga rasti i Hungarisë, Mitchelli nuk shihet si njeriu më përgjegjës për këtë ndërrim politik.
“Ajo çka mund të them është se me ardhjen e z.Mitchell, përfshirja e ShBA-ve në Ballkan ka intensifikuar përpjekjet për t’u përballur me sfidat me të cilat ky rajon përballet. Duket se ShBA-të janë të gatshme të dëgjojnë opsione nga të dyja palët se si të ecet përpara, dhe të arrihet një marrëveshje që do të sillte stabilitet afatgjatë në rajon,” shkroi një diplomat kosovar për BuzzFeed News në një email.
Burimet diplomatike thanë që Shtetet e Bashkuara i kanë komunikuar Kosovës se kanë një afat të caktuar për të bërë marrëveshje – askush nuk e di se si do të duket BE-ja brenda një apo dy vitesh – dhe kosovarët vetë e kuptojnë se një situatë e tillë, në të cilën Serbia refuzon të pranojë pavarësinë e vendit është e paqëndrueshme.
“Një vend ku gara strategjike është intensifikuar dramatikisht është pjesa lindore e Evropës,” tha Mitchell në një fjalim në qershor. “Prioriteti ynë ka qenë, i pari dhe më i rëndëshmi, ta vënë nën kontroll agresionin rus.”
Dhe disa mendojnë që një shkëmbim i mundshëm territori në Kosovë është ajo ide që tregon se Mitchell po përdor gjeopolitikën për t’iu kundërvënë Rusisë.
Stategjia e Rusisë është të “vendos veten në kontraverzalitete të vazhdueshme në rajon për të shkaktuar jostabiltet… ajo mban raporte të forta me Serbinë pjesërisht sepse Serbia ende po e mban Kosovën të destabilizuar dhe po e bllokon rrugën e saj për në Evropë,” thotë Charles Kupchan, zyrtar i lartë në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme.
“Nëse e hiqni atë pengesë dhe Serbia e sheh rrugën e saj për në BE dhe Nato – kjo do të ishte një gjë e keqe për Kremlinin,” tha ai.
Por të tjerë mendojnë që ndarja është një festë për më shumë kaos, e cila është saktësisht pse Putini – dhe presidenti serb Vuçiq – kanë avokuar për të. Kryeministri Haradinaj i ka thënë BuzzFeed Newsit që mungesa e kundërshtimit nga Moska për planin është provë që ndarja nuk është zgjidhje. /BuzzFeed/Përktheu në shqip, Periskopi