Pse më shan Hivzi Islami?

Pse më shan Hivzi Islami?

Hivziu që nuk merr vesh në caktimin e kufijve ndërkombëtarë

Këto ditë lexuesi pati rastin të shohë një fejton të Hivzi Islamit, i cili mban postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ani se në fillim bën një sqarim për lexuesin se nuk flet në emër të Akademisë, sërish nuk mund të mos vërehet se pikërisht ai institucion është streha prapa së cilës synon të fshihet autori i fejtonit për të bindur lexuesin në fuqinë bindëse të shkrimit të tij të gjatë dhe fyes përmasash biblike.

Nuk lë njeri pa sharë, pa fyer, duke synuar arritjen e vetëm një caku: të vërtetojë se Kosova si shtet duhet të ketë po aq sasi katrorësh të territorit tokësor të cilin e ka konstatuar, jo Komisioni Shtetëror, por punëdhënësi i tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ta zëmë se Hivziu ka të drejtë, pra se Kosova ka po aq tokë sa mendon ai dhe punëdhënësi i tij, kryeministri Isa Mustafa.

Por, pyetja që shtrohet është kjo: a mendon Hivziu që kështu i ka hije një akademiku të flasë për territorin e shtetit të vet, pra që me çdo kusht të vërtetojë se malazezët kanë të drejtë?! Nejse, kjo këtu nuk ka rëndësi, sepse nuk mora mundin për të shkruar për sqarimet ex catedra të gjeografisë së Ballkanit të Hivzi Islamit, por për të treguar shumë qartë se përse ai merret me mua.

Nuk e kam fjalën këtu për Hivziun që merret më opusin tim shkencor dhe akademik, të cilin qartë shihet se nuk e kupton ngaqë është pasojë e mosleximit të tij të mendimit mbi kufijtë që e kultivojmë unë dhe kolegët e mi në katedrat ndërkombëtare nëpër botë. Unë do ta kisha lexuar opusin e tij, sikur ai të kishte relevancë në çështjen e kufijve, por ja që nuk ka.

Si mund të ketë relevancë për caktim ndërkombëtar të kufijve monografia e tij për fshatin e Kosovës, teksti i tij për strukturën reliefore të Kosovës dhe të rajoneve përreth, statistikat e enteve ish-komuniste në Kosovë dhe jashtë saj, dhe kështu me radhë. Tjetër desha të sqaroj për Hivziun, pra pse ai më shan mua!

Hivziu bën pjesë në ata njerëz publikë që kanë menduar dhe që mendojnë akoma se unë do të hesht përgjithmonë kur të tjerët më fyejnë, duke tentuar për të më vënë në defensivë për turpin e tyre që e kanë ndaj meje, të krijuar në një kohë të caktuar të njohjes sime me ta.

Ka qenë koha e pasluftës kur u njoha me Hivziun, as vetë nuk e di si dhe në çfarë konteksti, por e di saktë që jam njohur krejtësisht në mënyrë spontane. Arsyeja pse nuk më kujtohet është se, siç thotë Bedri Pejani, në mbrojtjen e tij me shkrim drejtuar prokurorit komunist, Ali Shukriu, sapo isha kthyer nga mërgimi pas shumë vitesh dhe qëndrimi jashtë atdheut kishte marrë tiparet e një sëmundjeje të rëndë të mallit për çdo gjë.

Në një situatë të tillë, njeriu bëhet pak joracional dhe humb sensin kritik ndaj të tjerëve, ndaj njerëzve dhe fenomeneve përreth. Më kishte thënë shumëkush që Hivziu është i ulët, se ka shqetësime të thella në shpirt për shkaqe familjare, se kishte shqetësuar sa e sa herë fqinjët dhe kolegët në Universitet për problemet e veta, por nuk ua kisha vënë veshin, kishin përmendur ndërhyrjen e policisë në zgjidhjen e problemeve të tij private, dhe kështu me radhë. Këto fare nuk kanë rëndësi këtu dhe as atëherë nuk i kam marrë seriozisht e nuk i marr seriozisht as sot.

Tjetër çka është që kam marrë seriozisht dhe gabimi im ka qenë që me kohë nuk kam folur për disa gjëra, jo vetëm si këto që do t’i flas këtu për Hivziun, por edhe më gjerë. Kjo sepse, në kulturat e pastrukturuara dhe gjysmëprimitive, respekti ndaj moshës dhe ndaj njerëzve të merret si nënshtrim dhe frikë.

Kur filloi plagjiati, Hivziu u shqetësua shumë

Siç dihet botërisht, si rektor kam pasur disa projekte që i kam shtyrë përpara dhe që i kanë dhënë vulën mandatit tim. Ndër to është, krahas hapjes së dyerve brezit të ri, lufta kundër plagjiaturës, këtij krimi më të shëmtuar intelektual. Kisha propozuar masat më të rrepta ndaj atyre që ishin përfshirë në këtë krim, jo për t’i ndëshkuar përgjithmonë por për t’ia ndalur pak turrin kësaj dukurie, e cila sot e kësaj dite ngelet e njëjtë në Universitet dhe më gjerë. Mbase nga mirësjellja ime ndaj tij kur e takoja, Hivziu me një tjetër koleg të tij nga Akademia, më takuan në dyert e Universitetit dhe më thanë me një ton qortues që të kisha kujdes se çfarë po bëja me luftën kundër plagjiaturës, sepse Universiteti është krijuar me mund e djersë, që nënkuptonte se unë aty isha në një rol episodik dhe fare të papërfillshëm si rektor i Universitetit.

Buzëqesha, si me ironi, dhe i pyeta se si e kishin kaluar ditën dhe si ndiheshin, për t’u treguar qartë mungesën e vullnetit nga ana ime për të diskutuar një temë të tillë. I lashë aty në shkallë të hyrjes së Rektoratit dhe vazhdova rrugën time. Ndërkohë, nga kurioziteti, mora mundin për të parë arsyen e saktë pse kishin aq shumë shqetësim ndaj një projekti që kisha nisur, luftës kundër plagjiaturës. Njeriu normal pret që akademikët dhe akademia të mbështesin një projekt të tillë, pra luftën kundër kësaj dukurie të shëmtuar në mesin tonë. Hulumtimi im për një kohë shumë të shkurtër tregoi se, krahas dy akademikëve të tjerë për të cilët kisha marrë të dhënat e sakta për plagjiaturë, edhe ai tjetri që ishte atë ditë me Hivziun, ishte i përfshirë në të njëjtin skandal, me burim plagjiatin nga bota gjermane e një doktorate të një prifti protestant.

Qëllimisht po e përmend botën gjermane sepse, siç dihet, nga Akademia kanë qenë të përfshirë në plagjiat edhe burimet nga bota frankofone dhe ish-jugosllave. Meqë projekti im i luftës kundër plagjiatit ishte kalimtar dhe kishte për qëllim vetëm frikësimin dhe dekurajimin e plagjiaturës së mëtejshme në Universitet dhe më gjerë, gjë që u pa nga fakti se në fund të mandatit tim kërkova nga Senati që t’ua kthejë titujt e marrë të gjithëve që ishin zënë në plagjiaturë, as Hivziut nuk i thashë asgjë për kolegun e tij të ngushtë. Mbase gabova, sepse Hivziu nuk e kishte marrë mesazhin që duhej: nuk shkoi shumë kohë dhe sërish m’u drejtua me kërkesë të një natyre edhe më banale se ndalimi i luftës kundër plagjiaturës.

“Asistentja ime është gjeni!”

Nuk shkoi shumë kohë dhe Hivziu brofi në zyrë te unë për të më kërkuar një favor tjetër, edhe më banal se ai i pari. Siç dihet, në kohën time kisha çregjistruar më qindra doktorantë të cilët ishin regjistruar në mënyrë të paligjshme në doktoratë në Universitetin e Prishtinës dhe kisha krijuar me një shpejtësi të madhe infrastrukturën ligjore për studimet e rregullta të doktoratës në nivel universiteti.

Kjo infrastrukturë ligjore akoma vazhdon të shërbejë si model në Universitet për studimet e doktoratës dhe shumë herë më ndalojnë pedagogët, kolegët e mi, për të më komplimentuar për këtë punë. Ndër ata që unë i çregjistroja nga doktoratura, ka pasur edhe të atillë që ishin të denjë ligjërisht për të vijuar studimet, por që ishin vonuar pak në kryerjen e këtij detyrimi bazik akademik në Universitet. Këtu e kam fjalën për kategorinë e atyre që asistentëve dhe kolegëve të tjerë që ishin regjistruar sipas ligjit dhe në mënyrë krejt të drejtë, mirëpo që nuk ishin arritur me kohë t’i kryenin obligimet e tyre të doktoratës për arsye që këtu nuk kanë asnjë rëndësi të thuhen.

Ndërkohë që kisha rezistuar me sukses demonstratat e përditshme, kërcënimet dhe presionet nga të katër anët, të cilat janë bërë publike disa herë, Hivziu, sikur bimë e së keqes, i dha një ton kutërbues kësaj fushate e këtij presioni që bëhej kundër meje me qëllim të lejimit të vazhdimit të doktoratave joligjore në Universitet.

Më tha, më një ton poshtërisht përgjërues, që asistentja e tij (emri i së cilës nuk më kujtohet) ishte një gjeni i vërtetë dhe se meritonte të kryente doktoratën për një afat shumë më të shkurtër se afati ligjor. Unë provova, për mirësjellje dhe për shkak të moshës, ta bind Hivziun se ka afate ligjore që nuk guxoj t’i tejkaloj sepse të tjerët po ashtu kanë të drejta të njëjta dhe, si rektor, duhet të jem i drejtë ndaj të gjithëve.

Unë, vazhdova më tutje, jam rektor dhe kujdesem vetëm për anën formale dhe ligjore, kurse komisionet recensuese janë ato që bartin përgjegjësinë profesionale për doktoratën. Sërish Hivziu insistonte të më bindte se asistentja e tij ishte më e mira në Universitet dhe se meritonte të kalonte çdo procedurë dhe të kryente doktoratën para të gjithëve. Në një moment më kërciti filmi, siç thotë populli, dhe i thashë Hivziut shumë qartë se ajo punë nuk bëhej për arsye të thjeshtë se “berber nuk mund të bëhet njeriu për një ose për dy vjet!”.

E nxora nga zyra! Në raste të tilla, njeriu pret që pala e tillë të mbledhë mend dhe të largohet. Hivziu jo vetëm që nuk u largua, por kishte filluar të hynte nëpër zyra të vartësve të mi duke i terrorizuar deri në palcë për të njëjtën matematikë. U morr vesh, në mandatin tim ajo punë nuk mund të bëhej ashtu, sepse askush dhe askujt nuk i kishte bërë favore të tilla.

Te Efesianët në Bibël thuhet: “Asnjë fjalë e keqe të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë”. Hivziu, si duket, këtë nuk e ka pasur parasysh. “Njeriu mëson sa të jetojë!”, thotë një fjalë popullore.

Shpërndaje në: