Pse SBAShK-u nuk protestoi kurrë kundër kapjes së arsimit nga politika?

Mësimdhënësit e Kosovës u futën në grevë duke kërkuar paga më të larta. Në dhjetë vitet e fundit paga e tyre është rritur disa herë dhe aktualisht mesatarja shkon në 420 euro. Dmth ata i marrin 660 euro më shumë për një vit se që do t’i merrnin për të njëjtën punë në Maqedoni (365 euro mesatarja). E Maqedonia ka edhe arsim më cilësor por edhe ekonomi më të fortë. Ata i marrin 3 mijë e kusur euro më shumë se minimalja në vendin tonë (130 euro) e shumica prej të cilëve punojnë dyfish më gjatë. (të paktën 40 orë, nga 20 sa punojnë mësimdhënësit)
Pra, po flasim për një masë njerëzish që ashiqare po e shpërfillin fatin e vendit të tyre përmes kësaj greve. Dhe s’është hera e parë. Shumë prej këtyre mësimdhënësve i kemi parë të ulur nëpër salla dasmash duke e dëgjuar Hashim Thaçin, kryetarin e dikurshëm të PDK-së, derisa iu tregonte se kënd duhej ta votonin. Pjesëmarrja në skemat klienteliste të partisë së përmendur dhe partive tjera që ishin në pushtet, komunal e qendror, i bën ata fajtorë të drejtpërdrejtë për një varg gjërash të ndryshme. Me të drejtë mund të mendohet se shumica dërrmuese e tyre votojnë për partitë në pushtet duke mos lejuar ndëshkimin elektoral të qeverisjeve të këqija.
Nuk ka ndonjë statistikë por nga fragmentet e zbuluara të qeverisjeve të kaluara (dhe aktuales) mësojmë që një përqindje shumë e madhe mësimdhënësish janë të punësuar përmes skemave të klientelizmit. Shumë prej tyre nuk e meritojnë të jenë mësimdhënës. Dhe kjo bën që të ketë një hapësirë enorme devijimi nga puna, hapësirë enorme për papërgjegjësi. Normalisht kjo nuk nënkupton aspak që duhet amnistuar kurrikulën, tekstet shkollore dhe politikat e bëra nga MASHT-i.
Shumë prej mësimdhënësve janë në fakt mëshimdhënës. Iu mëshojnë trupave të nxënësve të tyre. Qoftë duke i rrahur, qoftë duke i mbajtur në një gjendje tute e cila si rrjedhë kërkon servilitet prej nxënësit. Dhe, një pjesë të madhe të fajit për karakterin kolektiv servil të shoqërisë sonë (në fakt, pjesën më të madhe e mban karakteri familjocentrist) e ka pikërisht një taktikë e tillë nga autoriteti i këtyre njerëzve. Mësimi kryesor që marrin pjesa dërrmuese e nxënësve është ‘si të binden’. Prandaj, pushtetin nuk e shoh aspak të ndarë nga kjo masë jokritike njerëzish.
Dhe për më tepër, autoriteti që ushtrohet dhunshëm është në shumicën e rasteve mediokër. Njerëzit që e ushtrojnë atë janë budallenj, e të pazotë edhe në lëndët që ligjërojnë. Natyrisht, ka përjashtime por brenda asaj mase njerëzish këta njerëz të rrallë janë të papërfillshëm dhe s’mund të bëjnë ndryshimin brenda atmosferës në shkolla.
Kosova është në nevojë urgjente për një vlerësim serioz të mësimdhënësve. Së pari, duke i ekzaminuar psikologjikisht. Jemi shoqëri e dalë nga lufta dhe në rrethana shumë të rënda sociale, për më tepër edhe në një periudhë ndryshimi drastik vlerash. Prandaj tragjeditë e vogla individuale e familjare janë krejt të parashikueshme dhe të cilat mund të përvidhen edhe mes orëve mësimore. Një njeri i paqëndrueshëm nuk meriton të ketë në dorë fatin psikologjik të brezit të ardhshëm. Pastaj, më e rëndësishmja, vyen një ekzaminim i njohurive të tyre mbi fushat ku do të jepnin mësim. Dhe pas këtyre dy çertifikimeve, do të duhej të trajnoheshin se si të mbanin disiplinën në klasë duke punuar me kurreshtjen dhe jo me frikën e nxënësve.
Udhëzimet administrative të MASHT-it, të cilat mund t’i gjeni në faqen e saj të internetit, e shprehin po ashtu një urgjencë të njëjtë. Por, nëse i shihni me kujdes ato do të vëreni se përmes vlerësimit të punës së mësimdhënësve formohet një tjetër hapësirë klientelizmi.
Greva e mësimdhënësve e parë nga rrethanat ekonomike e sociale e vendit përbën akt tradhtie. SBAShK-u kurrë nuk ka organizuar as protestë kundër emërimit të drejtorëve të shkollave nga partitë politike, ose as kundër punësimeve tjera patiake e jomeritore nëpër shkolla. Kjo sindikatë është alet i pushtetit, dhe unë dyshoj se në këtë moment po përdoret nga kreu i vendit apo nga kreu i ish partisë së tij për t’i bërë obstruksione politike kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj. Me një fjalë, ata janë të instrumentalizuar edhe në këtë kohë, kur faktori ndërkombëtar nuk ka vakt që të lejojë zgjedhje në vend dhe kur pozita e Haradinaj përmes mbajtjes së taksës 100% po e pengon indirekt dialogun për korrigjimin e kufijve.
Nuk shoh asnjë arsye tjetër!