Pse po bëni gabim nëse vazhdimisht pastroni veshët
Trupat tanë prodhojnë substanca nga më të ndryshmet dhe njerëzit kanë nivele të ndryshme tolerance për secilën prej tyre. Një, që përgjithësisht na besdis të gjithëve është dylli i veshëve-që me aq ngulm doni ta pastroni.
Besojeni ose jo, kjo substancë natyrale është krijuar për një qëllim të caktuar, prandaj bëni kujdes kur doni ta hiqni.
Si fillim, duhet të dini që ndoshta veshët tuaj nuk kanë nevojë fare të pastrohen nga brenda.
Sipas ekspertëve, një pjesë e mirë e njerëzve nuk kanë nevojë fare ta heqin dyllin e veshëve. Dylli shërben si një shtresë mbrojtëse për kanalin e veshit.
Funksionon si një agjent i papërshkueshëm nga uji dhe ka veti anti-bakteriale. Ndihmon gjithashtu në parandalimin e infeksioneve të veshit në pjesën e jashtme. Ashtu si shumë pjesë të tjera të trupit, edhe veshi ka veti vetë-pastruese, prandaj nuk është e nevojshme ta pastroni e aq më pak me kunjat e pambukut.
Sidoqoftë, për ju që për një arsye apo tjetrën këmbëngulni në pastrimin e tyre, sigurohuni të merreni vetëm me zonën jashtë tij. Nëse s’doni asnjë infeksion apo probleme të tjera, shmangni futjen e kunjave prej pambuku në kanalin e veshit.
Ky i fundit është shumë i ndjeshëm dhe ka shumë nerva që do të thotë se mund të irritohet fare kollaj.
Me pak fjalë, lëreni trupin të bëj punën e tij dhe mos ndërhyni ku s’duhet!