Pse nuk mund të përfundojë lufta e Sirisë?
Lufta civile në Siri duket se nuk do të marrë fund për një kohë shumë të gjatë. Ose ndoshta kurrë. Ekspertë të luftërave civile, të pyetur nga New York Times, se cilës prej luftërave civile në histori i përngjan kjo luftë, kanë thënë se asnjërës.
Gjendja është me të vërtetë, shumë shumë e rëndë.
Luftërat zakonisht përfundojnë kur njëra palë humbë. Qoftë kur i humbë armët, ushqimet, luftëtarët apo mbështetjen popullore. Por, në këtë konflikt asnjëra palë, lëre që nuk po humbë, por as nuk po dobësohet.
E keqja është se të gjitha palët e përfshira në konflikt, janë të mbështetura nga fuqitë e jashtme – ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Rusia, Irani, Arabia Saudite dhe Turqia. Si Qeveria siriane ashtu edhe forcat rebele po furnizohen me armë nga këto forca. Situata është aq paradoksale sa, madje asnjërës prej palëve të përfshira në konflikt nga jashtë, nuk i konvenon që njëra palë të fitojë ose të humbë. Madje, edhe humbja eventuale e ISIS do të kishte pasoja katastrofale për myslimanët synitë në Irak dhe Siri.
Kur njëra palë duket se po fiton dhe po merr territor, kjo e nxitë fuqinë që i qëndron mbrapa palës që humbë të japë më shumë para e më shumë mbështetje, ndërkohë që aleati mbrapa palës që fiton jep më pak para.
Fuqitë që përmendëm janë mjaftueshëm të fuqishme sa të përballojnë çfarëdo përshkallëzimi të mundshëm.
Profesor Walter ka thënë që “Kjo nuk është më e keqja… situata mund të përkeqësohet edhe më shumë”.
Struktura e luftës është e tillë që inkurajon mizoritë. Për shembull, nëse Assadi do të humbte, alavitët – grupi i tij, që është një pakicë në Siri, do të masakroheshin. Në fakt, cilado që fiton, është e qartë se do të përdorte me mizori dhunën kundër civilëve të grupit humbës.
Kemi parë imazhe të civilëve të vrarë. Dhe në këto vrasje nuk janë të përfshirë vetëm forcat pro-qeveritare por edhe të gjitha grupet rebele.
Prandaj, siç potencon profesor Fearon “Është më e rëndësishme të ndalësh palën tjetër që të marrë fitoren sesa të fitosh”.
Në këtë rast, është mëse e qartë se nuk mund të bëhet fjalë që të gjykojmë situatën në Siri nga premisa humaniste. Ajo që duhet është një kalkulim i ftohtë që të nxjerrësh më të mirën nga kjo situatë. Dhe e keqja është se përkeqësimi duket shumë më i mundshëm sesa përmirësimi. Në rastin më të mirë, njëra palë do të kishte një epërsi të konsiderueshme ndaj të tjerave por të tjerat do të mbesnin aq të fuqishme sa të mbronin civilët e tyre. Ne e kemi parë mizorinë e Assadit. Dhe e dimë se çka do të ndodhte në rast se ai do të fitonte. Por poashtu, e kemi të qartë se në rast se grupet rebele fitojnë, lufta do të vazhdonte ndërmjet njëra tjetrës, për shkak të ndasive të mëdha që kanë me njëra tjetrën.
Ky është lëmshi në Siri. Secila prej alternativave duket më e përgjakshme se tjetra. Si do të vijë fundi i këtij konflikti? Është shumë shumë e vështirë, thjesht për t’u përfytyruar një gjë e tillë. A duhet të ndërhyjë ShBA-ja si në Irak? Në asnjë mënyrë, sepse tashmë dihet se çka ndodhi në Irak.