Pse nuk duhet t’i votojmë heronjt?

Pse nuk duhet t’i votojmë heronjt?

Fjala ministër në gjuhën latine do të thotë shërbëtor. Rrjedhimisht, të gjithë ata që kandidojnë për poste qeveritare, kandidojnë për të qenë shërbëtor dhe për të na sherbyer neve votuesve, të cilët do të duhej të konsideroheshim si punëdhënës.

Kjo do të duhej të na jepte edhe të drejtën për t’i trajtuar qeveritarët si shërbëtorë, duke kërkuar nga ta që ta kryejnë punën e tyre dhe si falenderim për punën të shpërblehen me pagat dhe me asgjë më shumë.

Por, në Kosovë politika nuk funksionon kështu.

Kosovarët insistojnë që t’i votojnë heronjtë nga lufta e fundit për parlament dhe poste qeveritare me vitë tëra. Në vitet e pasluftës, politikanët më të votuar kanë qenë Hashim Thaqi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, që për mua për shkak të kontributit të tyre në luftë janë dhe mbeten heronj.

Elektorati kosovar ndër vite vazhdon të insistoj që këta heronj t’i delegojë në pozita të shërbëtorit. Por ky insistim vazhdon të rezultoj në dështim, për shkak se është gati, si e pamundur për një hero, të shndërrohet në shërbëtor të ndëgjueshëm.

Ndër vite ne Kosovarët i kemi trajtuar dhe vazhdojmë t’i trajtojmë heronjt-politikan si liderë dhe udhëheqës, duke hyrë vullnetarisht me ta në një relacion që buron nga kultura feudale, ku lideri është çoban e populli kope.

Në shekullin që e jetojmë ne nuk do të duhej të kishim nevojë për çoban, dhe do të duhej të  silleshim si individ me integritet të cilët kanë nevojë për shërbim dhe shërbëtorë e jo nevojë për udhëheqje e udhëheqës.

Nga ana tjetër, edhe praktika deri më tani ka treguar se politikanët e zakonshëm janë dëshmuar si shërbëtorë shumë më të mirë, dhe qeveritar shumë më të ndërgjegjshëm, se sa heronjt.

Për shembull, në PDK dy ministrat më të suksesshëm për mua janë Blerand Stavileci dhe Memli Krasniqi dhe përformanca e tyre as për së afërmi nuk mund të krahasohet me atë të Hashim Thaqit, Ramë Bujës, Fatmir Limës apo Kadri Veselit. Rezultatet e Memlit dhe Blerandit janëtë pakrahasueshme dhe shumë më të mira se ato të heronjëve në PDK.

Në AAK Besnik Tahiri është shumë më elokuent dhe ka shpjegim shumë më të strukturuar të politikave se sa heronjt që janë në këtë parti, përfshirë këtu edhe Ramushin. Nëse dikush do të duhej të kandidohej për kryeministër nga kjo parti, favoriti im do të ishte Besnik Tahiri.

Në VV përformanca e Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut në komunë të Prishtinës është evidente, nuk besoj se ndonjëri nga heronjt që gjenden në listen e VV-së do të mund të na shërbenin më mirë. Po ashtu edhe në LDK,  Arban Abrashi ka treguar performancë shumë më të mirë se sa për shembull Skender Hyseni,që edhe pse nuk ka luftuar, ka kontribuar në vitët 90 në lëvizjen e udhëhequr nga Presidenti Rugova.

Prandaj ju ftoj që, në të gjitha listat, të mos votoni heronjt, por njerëzit të cilët mund të jenë shërbëtorë të mirë.

Prandaj:

Votoni Memlin, e jo Kadrinë

Votoni Besnikun, e jo Ramushin

Votoni Vjosa Osmanin, e jo Skender Hysenin

Votoni Dardan Sejdiun, e jo Rexhep Selimin

Vetëm në këtë mënyrë do t’i nderojmë heronjt dhe do të kemi shërbim të mirë. Heronjt do të mbetën heronj, ndërsa shërbëtorët shërbyes.

Fare në fund, nuk po them që heronjt duhet të lihen anash. Heronjve duhet t’ju mundësojmë penzione, jo si këto që propozohen tash nga 170 euro në muaj, por penzione të dinjitetshme që janë së paku 1,000 euro në muaj. Duhet t’ju japim përparësi dhe mundësi preferenciale në profesionet dhe punët e tyre, duhet t’i lirojmë nga tatimi dhe shumë beneficione të tjera të këtij lloji.

Por, është me të vërtetë hipokrizi që pas kontributit  të tyre në luftë, edhe pas lufte të kërkojme nga ta që të na shërbejnë për një pagë ministri (pagë shërbëtori) që është pak a shumë 1,000 euro në muaj.

Pra, votoni për një qeveri shërbëtorësh e jo për një qeveri heronjsh, nga të cilët më pastaj do të duhet të kërkojmë që të sillen si shërbëtorë.

Shpërndaje në: