Pse njerëzit (dhe vetë aktori fitues) u shokuan nga çmimi i fundit në Oscars
Tradita e do që “Best Picture” është çmimi që mbyll ceremoninë e Oscars, por këtë vit, çmimi i fundit ishte ai për “Aktorin më të mirë” dhe kjo renditje e çmimeve duket që nuk ka qenë aspak rastësore.
Pritshmëritë e njerëzve ishin që çmimi “Aktori më i mirë” do t’i jepej të ndjerit Chadwick Boseman për rolin në filmin “Ma Rainey’s Black Bottom”, i cili ndërroi jetë në gusht të vitit 2020 si pasojë e një beteje 4-vjeçare me kancerin. Çmimi nuk iu dha Boseman, por aktorit 83-vjeçar Anthony Hopkins për rolin e tij në filmin “The Father”. Thënë kjo, organizatorët e kanë marrë me mend që mospërzgjedhja e Boseman do të zbehte shkëlqimin e vazhdimit të ceremonisë dhe zgjodhën që këtë çmim ta linin për në fund – ndërkohë audienca do të priste me padurim vlerësimin e tij. Por jo.
Joaquin Phoenix, që fitoi vitin e kaluar çmimin “Aktori më i mirë” për rolin në “Joker”, mori çmimin në emër të Hopkins. Ndërkohë Hopkins, teksa u shpall fitues i një çmimi Oscar për herë të dytë në karrierë, njëkohësisht duke bërë histori si aktori më i vjetër në moshë që fiton çmimin prestigjioz, mesa duket, po flinte.
“Jam këtu në vendlindjen time, në Uells. Në moshën 83-vjeçare, nuk prisja që të merrja këtë çmim, me të vërtetë. I jam mirënjohës Akademisë. Dua të kujtoj Chadwick Boseman, i cili u largua nga ne shumë herët. Sërish, shumë faleminderit të gjithëve. Me të vërtetë nuk e prisja, ndihem shumë i privilegjuar dhe i nderuar.” – tha Hopkins në mëngjes, në një video në Instagram.
Në “The Father”, aktorin luan rolin e një burri të vjetër në moshë, i cili teksa demenca i përkeqësohet, nis edhe dyshon te familja dhe vetja dhe refuzon ndihmën e humb kontrollin mbi realitetin.
Në internet, njerëzit dhe kritikët po e konsiderojnë vendimin e Akademisë fyerje si për Hopkins ashtu edhe për të ndjerin Boseman.