Pse me kroatët?
Si në shumë sporte tjera, Kroacia u tregua e suksesshme edhe në futboll përgjatë dy dekadave të fundit. Tashmë, arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës, dhe ka gjasa për me fitu trofeun për herë të parë.
Ky nuk është sukses i rastësishëm. Kroacia dhe Serbia janë ndër kombet më të suksesshme evropiane në sporte. Ky është rezultat i një investimi jashtëzakonisht të suksesshëm nga shteti jugosllav prej viteve ’50 e tekëndej. Në një masë më të vogël, hairin edukimit sportiv jugosllav ia pa edhe Kosova dhe vendet e tjera që ishin pjesë e asaj ngrehine.
Ajo që mbeti nga Jugosllavia pas rrënimit të saj ishte përpjekja e politikës që t’i fuste hundët në sporte. Dikur, vendi komunist donte ta reklamonte sistemin e saj edukativ dhe mirëqenien përmes sportit, por shkaku i luftërave që ushtruan trysni në brendi, shkaku i luftërave për pushtet, sporti u bë një armë në duar të politikanëve. Sporti u bë një ndër mjetet kryesore të prodhimit – dhe natyrisht, nuk mund të lihej që të zhvillohej lirshëm.
Kroacia sot e vuan mungesën e njeriut kryesor të futbollit të saj, Zdravko Mamiqit. Atij iu shqiptua një dënim i rëndë për korrupsion, dhe një urdhër-arrest ndërkombëtar është lëshuar nga shteti i tij, por ia doli të ikte në Bosnjë dhe të merrte nënshtetësinë e këtij vendi. Natyrisht, me ndihmën e presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviq, e cila pasi ishte zënë nga një përgjim që i ishte bërë, e kishte pranuar se Mamiqi kishte shtruar shumë darka dhe kishte bërë shumë ahengje për të. Një gjë tjetër që nuk mund të mohohet është edhe se Mamiqi kishte qenë financues i fushatës së presidentes kroate. Mamiqi, ani që kriminel i dënuar, është shtytësi kryesor i sukseseve të futbollistëve kroatë. Dhe është arkitekti i vërtetë i suksesit të tanishëm të kombëtares. Luka Modriq, kapiteni i Kroacisë, kishte gënjyer në gjykatë për ta ndihmuar Mamiqin. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe Dejan Lovren. Për këto shkaqe, një pjesë shumë e madhe e publikut kroat, ndihet e neveritur me kombëtaren e tyre, dhe nuk e mbështet. Kështu shkruan edhe The Guardian në një artikull.
Por Kroacinë po e mbështesin masivisht shqiptarët e Kosovës. Këta nuk duan t’ia dinë për skandalin e Mamiqit – edhe pse, atyre që merren me futboll zor se mund t’iu ketë ikur. Shqiptarët po e mbështesin Kroacinë edhe pavarësisht gjestit nazist të Luka Modriqit pas ndeshjes kundër Rusisë. Veç kësaj, pavarësisht turpërimit që e pësoi Kosova ndaj Kroacisë në Shkodër ku humbi 6 me 0. Shpesh shohim ekipe të ndryshme që e humbasin taktikisht një lojë dhe pësojnë disa gola – por kundërshtari e ulë turrin në shenjë respekti për ta. Kroatët u treguan të pamëshirshëm ndaj Kosovës atë natë – jo se kishin diçka kundër këtij shteti, por se donin t’i tregonin botës se sa të fortë i kishte bërë krimineli Mamiq. E ndërkohë, ajo ishte vetëm loja e dytë kualifikuese për Kosovën. Por, shqiptarët e Kosovës nuk duan t’ia dinë. S’duan t’ia dinë as për diskriminimin që e morën nga kroatët gjatë dekadave të kaluara – diskriminim i dokumentar edhe në këngë. S’duan t’ia dinë që edhe kroatët kryen krime të tmerrshme, njësoj si serbët.
Pikërisht këtu qëndron elementi kryesor që shkakton simpati te shqiptarët për kroatët: i mendojmë se janë njësoj si serbët. Dhe meqë ka një racizëm internal të kudovërejtshëm, mund të besohet që ka një dashni të ndrydhur e të fshehur për serbët. Për ata që na dhunuan. Natyrisht, unë nuk besoj që duhet të urrejmë një komb të caktuar. Pavarësisht gjithçkaje. Kjo sepse, ndjesitë kolektive janë të rrezikshme. Por, problemi këtu qëndron te racizmi internal. Te racizmi ndaj vetes. Te një ndjesi që shprehet në forma tjera: në diskursin publik si nevojë për krenari në reaksion ndaj poshtërimit, dhe në diskursin privat, evident edhe në Facebook, si nevojë për vetëpërbuzje.