“Pse ma këqyre gruan”, kris arma në plazhin e Lezhës
“Pse ma sheh gruan”, ky ka qenë fjalia e cila nisi dhe konflikti i ndodhur këtë të dielë në plazhin Tale të Lezhës mes dy personave.
Nga sherri i çastit në plazh për motive xhelozie ka mbetur i plagosur me armë zjarri 27-vjeçari Alfred Marku, ndërsa autori 30-vjeçar Leonard Lucaj është arratisur para se të mbërritur policia.
Dëshmi nga vendi i ngjarjes tregojnë se 30-vjeçari autori i plagosjes është konfliktuar me 27-vjeçarin banues në Zejman pasi sipas tij i ka parë gruan.
Mes dy djemve nisi një konflikt verbal, por më pas, autori nxori armën e zjarrit, plagosi të riun dhe së bashku me shoqëruesen u larguan nga lokali.
Më tej 27-vjeçari i cili ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital, ndërsa është jashtë rrezikut për jetën. Autori i ngjarjes pasi ka kryer plagosjen, është larguar me një automjet në drejtim të autostradës, teksa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:30, në një zonë larg pushuesve në plazhin Tale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobta mes dy shtetasve,(motive xhelozie) ka mbetur i plagosur me armë zjarri jashtë rrezikut për jetën shtetasi A.M, banues ne Zejmen Lezhë.
Autori i ngjarjes pasi ka kryer plagosjen, është larguar me një automjet në drejtim të autostradës.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë punën për kapjen e autorit I cili është i identifikuar nga ana e Policisë.
Grupi hetimor ka sekuestruar në vendngjarje celularin e autorit të dyshuar dhe prova të tjera që do ti shërbejnë hetimit për dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Për shkak të rrethanave të hetimit nuk jepen të dhena të tjera.