Pse Lumezi nuk është fajtor
Gjërat e shpjegojnë vetveten pa përfillur filozofët. Kështu besonte një prej mendimtarëve më të mëdhenj të filozofisë perëndimore, Aristoteli. Formulim i bukur, por të cilit i mungon vërtetësia – ani pse, autori i saj e donte më shumë të vërtetën [siç thoshte vetë] se mësuesin e tij [Platonin]. E vërteta është se, jemi në paradigmën gjuhësore, dhe kemi mësuar se gjërat nuk ekzistojnë vetvetiu. Nuk ka një realitet ekstra-gjuhësor, ose që i paraprin atij gjuhësor. Ne i krijojmë dhe i shpjegojmë gjërat.
Megjithëse nuk ka zellin shkencor të filozofit grek, në një pohim të tillë, se gjërat shpjegojnë veten, beson edhe shoqëria jonë. E kësisoj, i mohon vetes çfarëdo shpjegimi. Dhe nuk lodhet. Lëngon për të parë fallsifikatorë, kriminelë e vrasës, e më pas edhe heronj dhe njerëz të mirë. Pa e kuptuar se është krijuese e tyre, qoftë edhe me dembelinë e mosdijen e saj. Një virtualitet mosvet i ngushtë e i trishtë, e prandaj krejt i hapur për manipulime.
**
Puna është krijuese vlerash, por ajo nuk i mirëmban e nuk i formon ato. Jo të paktën, duke qëndruar në themel si punë, si një akt i vullnetshëm prodhues. Si ngulmim i fortë për të renë dhe të ardhmen. Ajo që formon dhe mirëmban vlerat, gjendjet, e gjërat, është e kundërta e saj: rezistenca ndaj punës. Qysh në etimologjinë e saj, në greqishten e lashtë e në latinisht, puna shihej me negativitet: si lodhje e mundim. Kjo sepse, ajo lidhej me një rend që funksiononte përmes skllevërish – të cilët filozofi i përmendur më lart, i quante ‘vegla që flasin’. Në dyqind-e-pesëdhjetë vitet e fundit, ajo që e ndërtoi botën ishte pikërisht pjesa e dytë e dialektikës mes punës dhe mospunës. Për ironi, hapësira publike u diktua jo vetëm nga punëtorë të zellshëm, nga mendimtarë të mprehtë – por edhe nga dembelët që nuk thelloheshin në asgjë por që u bënë vetë pushteti. Kjo ishte e pranishme, sidomos në vende të vogla, ku konceptimit për ‘të renë’ e ‘të pandodhurën’ nuk i lihej vend në kulturë: dhe prandaj, kishim vizione ciklike për historinë, dhe siç shpjegon Kundera [kur flet për kombet e vegla] një pamundësi për të menduar veten në një vend, e kësisoj për të menduar veten në-ndërtim.
Dembelia e shoqërisë sonë po e pamundëson kombin. Sipas mënyrës sesi formulohet sot ky koncept [Sieyes psh], kurrë nuk ka pasë as komb shqiptar, e mos të flasim pastaj për kombin e shpallur rishtas, atë kosovar. Nuk kemi pasë ekonomi funksionale, bujqësi funksionale, ushtri që mbron a sulmon, administratë efikase, dhe drejtësi. Pa to, kombi është veç simbolik: i prezentuar në virtualitete e në tipe kulture, në sport e në arte.
Ironikisht, ata që e duan kombin më së shumti sot [qoftë shqiptar, qoftë kosovar] janë ata që ikën nga ky vend. Ata që mërguan, dhe që shërbehen me mekanizmat që iu japin kombe tjera. Kombi duhet poashtu edhe në ditë festash, kur pauzon aktiviteti shtetëror, dhe harrohet keqfunksionimi i përditshëm i tij. Kombi duhet, vetëm kur ai nuk është aty, i dukshëm e i prekshëm megjithë shëmtinë dhe ftohtësinë e tij. Kjo mungesë kombi, nuk është vetëm si rezultat i fatit të keq nëpër luftëra, por sidomos si rezultat i një dembelie për të krijuar dhe i konceptimit të çuditshëm se gjërat ndodhin vetë, dhe shpjegohen vetë.
Dembelia e njerëzve për t’i mendu, për t’i kuptu e për t’iu dhënë shpjegim gjërave – është bërë një terren i plleshëm për mashtrime politike e sociale. Dembelia, jo vetëm në tentim-kombin tonë, ka qenë formuese e ligjërimeve politike, pasojat e të cilave janë të dukshme. Fashizmi, racizmi, byrokracia qorre, nacionalizmi organik, komunizmi etj. Dembelia e mendjeve të njerëzve e detyron secilin agjent politik, qoftë parti qoftë individ [për aq sa vlen kjo fjalë sot], të ngushtojë gjuhën e t’i thjeshtojë kuptimet.
Dhe kësisoj, si rrjedhojë e këtij rezistimi ndaj punës – sot çdogjë funksionon mosvet keq. Në rend të parë, mendimi. Çdogjë është e korruptuar, edhe më kryesorja, informimi. Jemi të prodhuar nga një gjuhë e vogël dhe ilogjike – e cila dështon të përkthehet në kuptime. Dhe natyrisht, kjo është e ndërlidhur me pushtetin e politikën. Sepse nuk ka të vërtetë, jashtë saj. Kufijtë e gjuhës, janë njëkohshëm edhe kufijtë e politikës.
**
Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, po akuzohet për fallsifikimin e provimit të jurisprudencës. Pikërisht të njëjtit, një vit më parë iu vodh telefoni privat në shtëpinë e tij. Ndërkohë që, identiteti i akuzuesve është mosvet i kontestueshëm – dhe i përlyer në politikat e vendit. I pari, ishte Enver Hasani – i dënuar për hajni. I dyti është ai i një televizioni joprofesional, që nuk lodhet nëse përçon mesazhe raciste dhe që për ironi, në ditën kur Hasani u shpall fajtor – e ftoi në një prej emisioneve më të ndjekura të saj. Identiteti i së tretës është ai i Gazetës Express – portal i lidhur ashiqare me pushtetin.
Sa i përket Lumezit. Pavarësisht profilit të akuzuesve, ai në fakt është fajtor. Teknikisht fajtor. Provimi i tij është i fallsifikuar. Dhe ai është bërë kryeprokuror duke e shkelë kriterin që lidhet me atë provim. Por, kjo është më e komplikuar sesa që u paraqit nga këta njerëz. Lumezi ishte bërë prokuror duke e pranuar se nuk e kishte të dhënë provimin e jurisprudencës – nga Riza Smaka dhe kryeadministratori i Unmikut, Bernard Kouchner. E këtu, do të duhej të përfundonte kjo punë dhe Lumezi të lihej i qetë. Të paktën sipas meje. Kosova nuk ka një traditë institucionaliste, dhe prandaj është mëse e nevojshme t’i pranojmë mangësitë e trashëguara nga sistemi i kaluar. Kosova është vend improvizimesh – sepse ndonjëherë kjo është e vetmja formë për të kryer punë. Dhe është e qartë se Lumezi po i prishë punë dikujt – ndonjë grupi interesash të lidhur me pushtetin. Kjo bëhet e ditur, jo thjesht nga hulumtimi i rastit, por edhe nga mediatizimi i përditshëm i tij. Nga vjedhja e telefonit. Dhe nga lufta kundër korrupsionit [më e madhja në Kosovë] që u zhvillua pikërisht gjatë kohës së tij. Ai mund të jetë poashtu i kapur, nuk e di, mirëpo që i prishi disa rrjeta korruptive – kjo nuk mund të kontestohet. Poashtu, është e qartë se ai ishte pjesë e shantazhit që i kishte bërë Enver Hasani [marrë parasysh që rastin kundër tij e shpalli menjëherë pasi u shpall fajtor për hajni]. Dhe është e qartë se kryeprokurori nuk e kishte pranuar shantazhin, dhe kësisoj e kishte marrë përsipër njollën që iu ngjit.
Lumezit vetë, i kishte ndodhur një padrejtësi në procesin në fjalë – siç thotë Riza Smaka. Komisioni për dhënjen e provimit të jurisprudencës nuk ishte mbledhur asnjëherë gjatë viteve 90’. Është e kuptueshme që, nën dritën e këtyre që u thanë [madje nga vetë ata që akuzojnë] dhe pa paragjykim, Lumezi nuk del as më i paditur dhe as më i pakualifikuar. Ai është fallsifikator, po, por vetëm nëse e parakuptojmë çdo pjesëtar në institucionet tona si ‘origjinal’. Vetë themelet e institucioneve tona janë fallse e të shtrembërta. Rektori Ramadan Zejnullahu, e pranonte që misioni i UP-së që nga themelimi ishte patriotik, dhe kjo kishte bërë që të shkileshin kriteret masivisht. Të krijoheshin kuadro shqiptare, duke i mbyllur sytë ndaj proceseve. Shkeljet e statutit – siç vazhdonte ai – ishin bërë standard pune. E prandaj, për çfarë të flasim tjetër këtu? Ah, për akuzuesit. Për ta, e vërtetë, mund të thuhet shumçka.
Sot, më shumë se kurrë jehon fjala e rëndë e Niçes: “Nuk ka fakte, ka vetëm interpretime!”