Pse Lionel Messi tani është lideri i vërtetë i Argjentinës

Pse Lionel Messi tani është lideri i vërtetë i Argjentinës

Ende asgjë nuk ka përfunduar për Argjentinën dhe për Lionel Messi-n.

Të gjithë e keni parë tensionin dhe ankthin që ne e përjetuam gjatë ndeshjes sonë kundër Meksikës deri sa shënuam dhe gjithashtu lehtësimin pas fishkëllimës pas fitores 2-0.

Kishte aq shumë presion mbi ne pas humbjes kundër Arabisë Saudite dhe lehtësimi ishte për të gjithë- për të gjithë ekipin dhe për të gjithë fansat tonë këtu, por veçanërisht për Messi-n.

Do të kishte qenë një përfundim i tmerrshëm dhe i dhembshur ta shihje Argjentinën tek eliminohej në fazën e grupeve në atë që është me shumë mundësi Botërori i tij i fundit.

Megjithatë, ne nuk jemi ende në fazën eliminatore. Tani ne duhet të fitojmë përsëri- kësaj here kundër Polonisë- që të sigurohemi se do të ia dalim mbanë.

Nuk do të jetë e lehtë dhe ekipi duhet të përmirësohet ende, por shpresojmë se do të kemi vetëbesim pas fitores kundër Meksikës.

Dhe, natyrisht, ne e kemi gjithnjë Messi-n. Ne jemi mbështetur tek ai aq shumë herë në të kaluarën dhe ne mund të mbështetemi përsëri tek ai në Katar.

Do të jetë e vështirë për ne të shkojmë larg në këtë garë, ne e dimë këtë. Por së paku ne mund të ëndërrojmë përsëri rreth këtij ekipi të Argjenintës- dhe kjo është falë tij.

E di se sa shumë është e rëndësishme Kupa e Botës për Messi-n

Unë isha atje në fillimin e rrugëtimit të Messi-t me Argjentinën dhe shpresoj kaq shumë se ai do të mund ta përfundojë këtë rrugëtim duke e ngritur Kupën e Botës.

Qysh kur e kam parë për herë të parë atë duke e prekur topin në stërvitjen e parë që e kemi zhvilluar së bashku në ekipin U-20, e dija se ai do të bëhej një lojtar i veçantë.

Natyrisht, ne kishim dëgjuar për Messi-n e Barcelonës para se ta takonim atë, por ajo kishte qenë hera e parë që ai erdhi të luante për Argjentinën. Ai nuk fliste shumë, por ne ia dhamë një pritje të ngrohtë në ekip dhe shpejt e kuptuam se sa i mirë ishte.

Ai erdhi me ne në Kupën e Botës U-20 në vitin 2005 në Holandë kur ishte 17-vjeçar. Unë isha kapiteni i Argjentinës dhe ne e fituam garën së bashku- e po, ky sukses ishte falë tij.

Ndjehem me fat të kem qenë pjesë e gjeneratës së tij; ta kem shijuar dhe të kem luajtuar krahë tij dhe të kem ndarë kaq shumë momente me të, si një bashkëlojtar dhe si shok.

Unë i di sakrificat që ai i ka bërë dhe kohërat e vështira që ai i ka përjetuar. Mos harroni, ai ishte vetëm 13-vjeçar kur ai ishte zhvendosur në Spanjë.

Edhe unë duhej të largohesha nga Argjentina në një moshë të re për ta vazhduar karrierën- shumica e lojtarëve e bëjnë këtë gjë- unë e di se sa e vështirë ishte për mua të adaptohesha. Unë isha 20-vjeçar kurse ai ishte një djalë i ri.

Jam shumë krenar për çdo gjë që ai ka bërë me jetën e tij që nga atëherë, por unë gjithashtu e di se sa shumë është me rëndësi për të ta përfaqësojë Argjentinën dhe me sa shumë vullnet dëshiron ta ngrejë me ne trofeun më të çmuar në futboll.

Është gjithmonë i njëjti rrëfim: Messi duhet ta fitojë Kupën e Botës

Ka aq shumë dashuri për Messi-n në shtëpi, por nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Pasi ne humbëm finalen e Kupës së Botës në vitin 2014, ne gjithashtu humbëm edhe dy finale të tjera të Copa America në vitin 2015 dhe 2016.

Në Argjentinë kjo nuk mjafton. Për disa njerëz dhe për disa media, vetëm mbërritja në finale nuk është e pranueshme. Ka pasur shumë kritika për Messi-n sepse ne nuk kishim fituar çdogjë sikurse që ai po fitonte me Barcelonën gjatë asaj kohe.

Ai u dorëzua pas asaj dhe morri një pauzë nga ekipi kombëtar për t’u rimbushur, por ai shpejt e kuptoi se sa me rëndësi ishte kombëtarja për të.

Messi ka fituar çdo gjë që ekziston për t’u fituar në nivelin ekipor, por ai ishte i dëshpëruar të rikthehej dhe të na ndihmonte edhe ne për të fituar diçka. Ishte e mahnitshme ta shihje atë duke e fituar një titull të madh në nivelin ndërkombëtar, në Kupën e Amerikës vitin e kaluar.

Ne fituam duke e mposhtur Brazilin në stadiumin Maracana, që ishte diçka shumë speciale dhe mua më kishte pëlqyer se si të gjithë vrapuan drejt Messi-t pas fishkëllimës së fundit për ta përqafuar.

Ajo fitore e kishte larguar paksa presionin mbi të dhe bëri të ndaleshin njerëzit që thonin se ai nuk luante njejtë si me ekipin e tij- por pavarësisht kësaj, njerëzit ende presin shumë prej tij në një Kupë të Botës.

Duket se ai duhet të fitojë- gjithmonë. Çdo gjë tjetër është e papranueshme.

Prandaj unë e di se kjo mund të jetë një kohë e vështirë për të në aspektin mendor në këto gara, kështu që është e rëndësishme që ai t’i ketë njerëzit e duhur rreth vetes që e ndihmojnë të relaksohet.

Çfarë ka ndryshuar? Messi është pjekur

Në Kupën e Botës të vitit 2018, unë isha analist për BBC-në në Rusi, dhe madje edhe nga largësia e shihja Messi-n që dukej i stresuar, gjë e cila ishte një shqetësim i vërtetë. Skuadra nuk ishte në gjendje të mirë dhe ne u eliminuam në një fazë të hershme.

Ishte krejtësisht ndryshe në vitin 2014 kur unë isha me të në ekipin e Argjentinës që mbërriti deri në finale në Brazil. Ai po e udhëhiqte ekipin dhe atij i pëlqente kjo gjë.

Para se të fillonte ky Botëror, kam dëgjuar Leo-n duke thënë se ka ngjashmëri në mes ndjenjave që ai kishte pasur atëherë dhe atmosferës së tanishme në ekip. Kjo është vërtet një shenjë e mirë sepse kjo do të thotë se ka një afërsi të njejtë dhe se ai është gjithashtu i lumtur.

Kur i shoh tani pamjet e zhveshtores, unë vërej shumë momente gazmore, siç ishte në ditët e mia. Por tani është nje dallim shumë i madh: vet Messi.

Pamjet e tij duke dhënë një fjalim motivues drejt ekipit para fillimit të finales së Copa America në vitin 2021 ishin diçka që nuk njerëzit nuk i kishin parë më herët dhe tregonin se ai gjithashtu ka kualitetet të lidershipit për ta udhëhequr ekipin drejt një arritjeje të madhe.

Kur Messi flet, të gjithë dëgjojnë. E njejta ishte në vitin 2014, por ai gjithmonë ka qenë paksa i heshtur dhe atëherë nuk fliste aq shumë.

Ai ishte kapiteni ynë por Javier Mascherano mori rolin në vend të tij për shkak të përvojës dhe karakterit të tij. Ai ishte ishte shumë i zëshëm në zhveshtore, duke na përgatitur para fillimit të ndeshjeve.

Tani, është vet Messi që e bën një gjë të tillë. Ai nuk është vetëm lojtari ynë më i mirë, ai është lideri i vërtet i ekipit- madje edhe trajneri Lionel Scaloni e ka thënë shumë herë- dhe ai do t’i ndihmonte ata përgjatë fillimit të vështirë, jo vetëm duke shënuar gola.

Është e mahnitshme të shikohet kjo. Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë për të arritur në këtë moment. Natyrisht, të gjithë mund të ndryshojnë jashtë fushe dhe të mësojnë gjëra të ndryshme. Messi tani, në moshëm 35 vjeçare, ka më shumë përvojë dhe është një njeri familjar- por ai edhe më tutje është një futbollist i jashtëzakonshëm.

Nëse ai e fiton këtë Kupë të Botës, ai duhet të pensionohet menjëherë sepse ai do t’i ketë fituar të gjitha gjërat e mundshme. Nuk do të mbetej asgjë për Messi-n për të fituar.

 

Kolumne nga Pablo Zabaleta për BBC

Përtktheu: Sokol Berisha, Periskopi

Shpërndaje në: