Pse liberalizimi i vizave po i mbipeshon demarkacionin, asociacionin e ushtrinë?

Pse liberalizimi i vizave po i mbipeshon demarkacionin, asociacionin e ushtrinë?

Dy të parët  në eterin e tyre kuptimor mbarsojnë kufi e territor, e treta – mbrojtje (qoftë edhe në kuptimin formal të fjalës), i katërti lëvizje e lirë jashtë vendit, por që në kuintesencë nënkupton vetëm emërtimin zëvendësues për prirjet e shqiptarëve  viteve ’80-90: “ikjen n’t’zezën”, “daljen me pasosh të Serbisë” etj., pra që shkurt fjala është emërtimi zyrtar dhe i sofistikuar për daljen, largimin, e ikjen, fenomen ky që anipse kaluar rishmi para dy vitesh, paturpësisht na shitet si njëfarë privilegji dhe suksesi privat i kësaj qeverie.

E dalja, ikja e largimi, nuk janë e njejtë gjë me lëvizjen e lirë. Madje po t’i biesh tragut hermeneutik të këtyre idiomave bazuar në opusin proverbial popullor, mund të të dalin edhe me kuptim të kobëshëm: “ka dalë p’ej shpie”, “ka ikë p’ej  fukarallaku”, “u largue p’ej fmive” etj. Pra diçka që sygjeron në pashpresë, pavullnet e deri edhe në gërrdi, dhe jo ta zëmë një shetitje komode të filozofit gjerman Peter Slöterdijk nga Berlini në Stamboll me “Orient Express”, apo në ndonjë vizitë të një maqedoni mesatar në Luvër.

Përballë këtyre,  një turmë e nemitur në tendencë për tu quajtur shoqëri a popull, respektivisht pronar shteti, por që ngelet paemancipuar politikisht. E rezultanta, një vend i papërmbledhur, që se ka diskutuar ekonominë e tij (meqë që me instalimin e kapitalizmit i është kapur nga klanet), që se ka diskutuar shëndetësinë e tij (sepse ka politikanë që kanë bërë karrierë edhe në trafikim organesh dhe për këtë mbajnë edhe llagape si p.sh. “Shaip kasapi”), arsimin në shkallë turpi (ku fjala “Dekan” në veten e parë nga vetë dekani shkruhet “DekanË”), pozitën e femrës (kush e përmend më Zejnepen nga Suhareka?), e lërë më ekologjinë e tij, që del të jetë temë luks.

Shprehur në terma të Vattimos, kjo është ontologjia e aktualitetit e një vendi pa traditë emancipuese politike, që kaloi nëpër okupimet dhe totalitarizmat e shekullit XX,  që nuk pa dritë të ardhur nga çelnaja vetanake e lirisë si akt çlirimi, por që në vend të kësaj  lindi nga ndërhyrjet e vazhdueshme (jo)konvencionale nga jashtë, që nga bombardimet e NATO-s,  Rezoluta 1244, Pakoja e Ahtisaarit, e deri tek bisedimet me Serbinë, përkatësisht nga eksperimentimet e një entiteti si BE që jorallë i bije të eksperimentojë edhe me veten.

Pra vend që realizimin e pret nga dikush që është në kërkim të projektimit dhe realizimit të vetëvetes. Ontologji e aktualitetit e një vendi që vret shpirtin e idealen; vend ku zihesh për budallë nëse gajlohesh për diçka si këto, pra ku kthehesh në objekt çudie nëse brengosesh për diçka përtej strehimit/banimit, ushqimit, shumimit dhe punësimit, me një fjalë mbijetesës (veçori këto edhe të kohës së gurit).

Tek puna e kufirit së paku prej 99-tës e këndej kemi plot situata ironike. Nga kushtrimi i lëshuar nga e saposhfaqura UÇK për bashkim trojesh tek nënshkrimi kur ritheksohej integriteti dhe sovraniteti i RFJ-së mbi Kosovën pas disa muajsh. Nga pamundësia për t’i ndalur francezët të na e vendosin kufirin ku deshën më 1999, tek hektarët e harruar të Debëlldesë më 2001, e deri tek racionalizmi PDK-ist i së paku këtij 10 vjeçari: përjetimi i vendit si feud. E si mundet duarlidhuri në kontrollim të kufirit të vet, përkatësisht i kapuri nga shpjegimi feudal i botës të reflektojë mbi rëndësinë e integritetit territorial?

Nga stagnimi mendësor, nuk u mendua se si do të dukej, apo thënë më drejtë çdo të bëj  formati i shtetit të aspiruar – edhe ashtu si kompromis – me pjesën që në rastin më të mirë abstenoi qoftë edhe nga mundësia për Republikë në kuadër të Jugosllavisë, e në rastin më të keq na vrau (me serbët)? Si do t’ i truallzonte e shtëpizonte Kosova virtuale serbët? Kur bazohesh në wishfull thinking, pason jo lindja e qytetarit, por lindja e asociacionit mbi bazë etnike.

Ushtri s’deshëm. S’besuam në të as si ide, pavarësisht që ai 0.5%-sh që u bë ushtri pati organizim katastrofal. Pse kush pati të na ndriçojë për nevojën e ushtrisë? Sinan Vllasaliu e Agim Deva që në kapërcyell të 80-tave (popo), i këndonin/shkruanin “dëshmorëve” partizanë? (https://www.youtube.com/watch?v=CotEGmjWhkM E / https://sq.wikipedia.org/wiki/Agim_Deva).

E meqë se deshëm, s’arritëm as të mbrohemi më 1998/99. Ndërsa  kur sot përmendet formimi i saj pas 18 viteve mosrrumbullakësim të sovranitetit dhe 9 vite shpalljeje të pavarësisë, ke një president që tutori e detyron ta lëpijë atë që pështyen.

A është tani e qartë se prapa emërtimeve të huaja, e për rrjedhojë gati edhe të koduara për mesatarin, si “demarkacion”, “asociacion” e “liberalizim” në fakt fshihen emërtimet territor, organizim i brendshëm dhe lëvizje e lirë, por të davaritura si mos më keq: shtyrje kufiri brenda,  copëzim territorial dhe ikje. Në fakt dy të parat i shërbejnë të tretës. Sakastosje për arrati. Dhe a është e qartë pse pikërisht kjo sakatosje që na e mundëson arratinë na vije me premtimin e të ardhmes? Sepse përbën shkopin dhe karrotën, kanosjen dhe lajkatimin për të nemiturin që s’ka ndërtuar të ardhmen.

Shpërndaje në: