Pse kosovarët fryhen për bamirësinë?

Pse kosovarët fryhen për bamirësinë?

Shqipëria sot e shënon 107 vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Osmane mes gërmadhave të ndërtesave të shembura dhe mes kukamës për të vdekurit.

40 vetë e humbën jetën. Mbi 600 të tjerë u plagosën. Mijëra familje mbetën pa strehë e ndoshta edhe pa bukë.

Kjo bëri që një pjesë e madhe kosovarësh të ndërhynin në raportin e qytetarëve shqiptarë me kombin e tyre, e i cili doli se nuk ishte tamam komb as pas 107 vitesh. Nga një popull që pranonte ndihmë, u bëmë popull që ofronte ndihmë. Nga një popull që shihej si gjynah, u bëmë popull që i jepte vetes të drejtën që ta shihte tjetrin si gjynah.

“Kosovarët, kosovarët, kosovarët!” – thoshin shumë kosovarë duke u fryrë për ndihmat e ofruara. Në mënyrë perverse u rrit dramaticiteti i asaj që bëri vaki. U paraqit një qen në pritje të pronarit të mbetur nën gërmadha. Foto e rreme. U paraqit një fëmijë me duar të mbledhura duke u lutur. E rreme edhe kjo. Më pas, një burrë duke dënesur. Po ashtu e rreme. U thurën një varg artikujsh me mbishkrimet “Prekëse”, “Emocionale”, “Tronditëse” e të tjera që mësynin rritjen e ndjeshmërisë. Si rëndom, shpesh rritej numri i viktimave, e më pas ulej sërish. Diku shkruante 27, diku 28, diku 31. U paraqit një shitës krem-bananesh duke i dhënë pesë euro. Me fytyrë. Pa e ditur se po xhirohej. Një gazetar kosovar provoi t’iu rrasej viktimave brenda çadrave të tyre pa i shkuar mendja për privatësinë e për traumat e përjetuara. Nuk e lejuan.

Pse? Sepse pamjet nuk ishin të bollshme. Viktimat nuk luanin ‘rolin’ e tyre aq mirë sa të preknin ndihmëtarët. As prekja s’përkonte me rrëfimin e zakontë për luftën e së mirës me të keqen, siç u tall edhe kryeministri i Shqipërisë. Ndoshta, kjo ishte thjesht një tragjedi në fund të fundit. Pa të mirën dhe të keqen si forca ndër-luftuese.

Megjithatë, shpërtheu në përmasa të jashtëzakonshme bamirësia kolektive. Domethënë, “e mira”. Një këngëtar i ofroi 100 mijë euro. Shumë këngëtarë tjerë ofruan shuma marramendëse po ashtu. Qytetarë tjerë lëshuan shtëpitë e tyre luksoze për qytetarët e mbetur pa strehë në Shqipëri. Ndonjë dashakeq mund të thoshte se kjo u bë që të promovonin veten e të tregonin kamjen, ose edhe thjesht të shfaqnin shpirtin e mirë. E ndoshta, dashakeqi nuk është aq dashakeq. Ndoshta, të ndihmosh dikë nuk është një akt aq i thjeshtë, i dëlirë e i mirë. Ndoshta, një veprim i tillë bëhet me motive që themelet i kanë egoiste.

“Kosovarët, kosovarët, kosovarët!” – vazhdon ende kori.

Për mendimin tim, bamirësia duhet të bëhet në mënyrë të përulur e anonime. Pa u fryrë. Pa dalë në kamerë. Pa vendosur emrin tënd ose të grupit tënd me shkronja të mëdha në vendgrumbullimin e ndihmave. Veç kësaj, imagjinoni, unë mendoj edhe që Tjetri nuk duhet të shihet si gjynah. Sepse një shikim i tillë është superiorist dhe i kufizon subjektivitetin tjetrit, e zhvesh nga dinjiteti bile, dhe e nënshtron duke mësyrë mbajtjen përfundi vetes.

Na u shpërfaq kësisoj solidariteti, shpirti i mirë kolektiv, e bile edhe atdhedashuria. Zor të gjesh ndonjë popull tjetër në Evropë që prodhon më shumë bamirës e më shumë keqbërës në të njëjtën kohë. Bile, ka më shumë bamirës e keqbërës se sa që ka banorë për shkak se shumica e tyre i performojnë të dyja këto role fetare, në varësi të rrebeve e të rrethanave. Ama, kombi nuk ekziston.

Solidariteti i popullit kosovar dhe atij shqiptar dëfteu pikërisht mungesën e një raporti të afërt politik mes qytetarit me shtetin të cilit i përket. Populli ndihmon, gjen prehje në ndihmë, sepse kombi ende është një përpjekje në dështim e sipër. Kombi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë nuk ekzistojnë, ende. Ekzistojnë popujt, veç si popuj.

Shpërndaje në: