Pse keni ftohtë gjatë gjithë kohës dhe si ta ndaloni këtë gjë?
Situatë e zakonshme: Kolegu juaj ndez kondicionerin për t’u freskuar dhe ju po dridheni nga i ftohti duke dëshiruar të ishit në shtëpi nën batanijen tuaj të preferuar.
Të gjithë ne ndjejmë ftohtë ose vapë në momente të caktuara, mirëpo disa prej nesh ndjejnë ftohtë gjatë gjithë kohës dhe nuk e dinë pse ndodh kjo gjë.
Nëse edhe ju bëni pjesë në grupin e këtyre personave, bëni mirë ta lexoni këtë artikull:
Gjëndra juaj tiroide mund të mos funksionojë mirë
Hipotiroidizmi është një gjendje kur gjëndra tiroide nuk po prodhon mjaftueshëm hormon dhe mund të çojë në intolerancë të ftohtë. Hormonet tiroide ndihmojnë në rregullimin e metabolizmit dhe temperaturës, dhe kur ato mungojnë, fillojmë të ndjejmë të ftohtë gjatë gjithë kohës. Simptoma të tjera të hipotiroidizmit mund të përfshijnë lodhje dhe një rrahje të ulët të zemrës.
Si ta rregulloni: Vizitoni një mjek. Një ekzaminim mjekësor mund të ndihmojë për të zbuluar nëse keni sasinë e nevojshme të hormoneve tiroide në trupin tuaj.
Nuk pini ujë mjaftueshëm
Uji rrit metabolizmin, duke ndihmuar trupin tuaj të tresë ushqimin dhe të krijojë energji dhe nxehtësi. Nëse jeni të dehidratuar, mund t’ju mungojë nxehtësia dhe energjia që ngroh trupin tuaj.
Si ta rregulloni: Sigurohuni të pini ujë mjaftueshëm.
Mund të keni anemi
Anemia është një tjetër gjendje mjekësore që mund t’ju bëjë të ndjeni të ftohtë në duar dhe këmbë. Anemia ndodh kur trupit tuaj i mungojnë qelizat e kuqe të gjakut që japin oksigjenin në organet dhe indet tuaja. Ekziston anemi me mungesë hekuri që shfaqet gjatë shtatzënisë, menstruacioneve, humbjes së gjakut ose për shkak të përthithjes së dobët të hekurit. Simptoma të tjera të anemisë përfshijnë lëkurën e zbehtë, rritjen e rrahjeve të zemrës, lodhjen dhe dhimbjen e kokës.
Si ta rregulloni: Nëse dyshoni se mund të keni anemi, duhet të vizitoni patjetër tek një mjek dhe të bëni analizat e nevojshme.
Nuk po flini mjaftueshëm
Gjumi i mirë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rregullimin e temperaturës së trupit, kështu që, nëse vazhdoni të dridheni nga të ftohtit, arsyeja mund të jetë mjaft e thjeshtë.
Si ta rregulloni: Rishikoni orarin tuaj ditor dhe sigurohuni se ka kohë të mjaftueshme për të fjetur, në mënyrë që të fitoni energjinë e humbur gjatë ditës.
Nuk keni qarkullim të mirë të gjakut
Sëmundja e arterieve periferike mund të bëjë që arteriet të dështojnë në shpërndarjen e gjakut në organe dhe inde, duke na bërë të kemi ftohtë. Kur pllakat grumbullohen në arterie (arterioskleroza) kjo gjë i bën ato më të ngushta, duke ndikuar në rrjedhjen e gjakut në duar dhe këmbë, duke shkaktuar ftohje dhe mpirje.
Si ta rregulloni: Vizitoni një mjek. Trajtimi për sëmundjen e arterieve periferike përfshin ndryshime në stilin e jetës (si heqja dorë nga pirja e duhanit, për shembull) dhe trajtimi mjekësor, përfshirë operacionin në disa raste.
Siç mund ta kuptoni, nëse keni ftohtë gjatë gjithë kohës, kjo mund të vijë si pasojë e disa kushteve themelore mjekësore dhe vizita tek një mjek është alternativa më e mirë.