Pse kaq shumë personazhe filmash vizatimorë janë në ngjyrë të verdhë?
Nëse mendoni për ngjyrën e verdhë, mund të mendoni direkt për diellin, dritën, ose ndjenja gëzimi dhe optimizmi. Nëse vazhdoni të mendoni më tej, sigurisht që do t’ju shkojë mendja të paktën tek një nga shumë filmat vizatimorë me personazhe të verdhë: Pikachu, SpongeBob, Simpsons etj. Kjo s’është gjithmonë rastësi. Ja disa arsye pse ngjyra e verdhë është përzgjedhur kaq shpesh në personazhe dhe filma të ndryshëm:
1. Kontrasti
Duke qenë një nga ngjyrat kryesore (së bashku me blunë dhe të kuqen), e verdha është shumë e dallueshme. Ngjyrat kryesore në ekran janë e kuqja, jeshilja dhe bluja. Në këtë skemë ngjyrash, bluja dhe e verdha janë në anët e kundërta të spektrit, duke e bërë njëra-tjetrën të dallohet më shumë dhe duke qenë se bluja është një ngjyrë shumë e përhapur në disa dimensione (mendo detin, qiellin etj), ka kuptim që krahasaj saj të përdoret e verdha për të dhënë efektin e kontrastit. Kjo i bën karakteret më të dukshëm.
2. Efekti psikologjik
Tradicionalisht, e verdha shoqërohet me lumturi dhe gëzim. Kjo është provuar nga një hulumtim, i cili zbuloi se shumica e pjesëmarrësve (72%) përmendën të verdhën si pozitive, dhe vetëm 0.5% e të anketuarve menduan se ishte negative. Kjo karakteristikë e së verdhës e bën atë një zgjedhje të shkëlqyeshme për personazhe të gëzueshëm dhe karizmatikë.
3. S’ka si të mos e shihni
E verdha është ngjyra më e dukshme në dritë të dobët dhe është ngjyra e dytë më e dukshme gjatë ditës. Është e dallueshme edhe për njerëzit me disa forma të verbërisë së ngjyrave.
4. Është e veçantë për fëmijët
Ngjyra e verdhë përdoret shpesh në reklamat për fëmijët, pasi edhe ata e lidhin këtë ngjyrë me emocione pozitive. Në marketing, e verdha përdoret zakonisht për paketimin e produkteve “argëtuese”.
Në një studim, fëmijëve iu dha një zgjedhje midis shkumësave me ngjyra të verdha dhe kafe pasi dëgjuan një histori të lumtur dhe një të trishtuar. Shumica e grupit “histori e lumtur” zgjodhën shkumësin e verdhë, dhe shumica e fëmijëve nga grupi i dytë preferuan shkumësin në ngjyrë kafe, duke provuar se lidhja e ngjyrave me gjendjen shpirtërore të një personi është e rëndësishme.
5. Tërheq vëmendjen
Sikurse përmendëm dhe më parë, e verdha është një nga ngjyrat më të dukshme. Kjo bën që shpesh të përdoret edhe për lloje të ndryshme sinjalizimesh, që duhet të shihen nga një distancë dhe të tërheqin vëmendjen tonë.
Për më tepër, kjo është një nga ngjyrat që natyra përdor për të dërguar sinjale të tipit: “Qëndro larg”. E verdha mund të shihet tek insektet thumbuese (bletët, grerëzat), gjarpërinjtë helmues dhe kafshë të tjera të rrezikshme.
Pra, në tërësi kjo ngjyrë na bën t’i kushtojmë vëmendje, prandaj përdoret kaq shumë edhe në filmat vizatimorë.
Burimi: Sciencing, Bright Side