Pse e quajta Milotin tradhëtar? Andi Bushati i quan kosovarët të kompleksuar
Andi Bushati, ditë më parë, ka reaguar përsëri një shkrimi tjetër lidhur me braktisjen që i bëri kombëtares shqiptare, futbollisti kosovar Milot Rashica. Përsëri, ai nuk ngurron të paragjykojë kosovarët si të kompleksuar dhe të quaj Rashicën të padinjitet. I gjithë shkrimi i tij i shkurtë është i konstruktuar përmes vetkuptimesh e paragjykimesh – që lëngon nga konfuzitete e paqartësi të shumta.
*** Shkrimi i plotë
Kam marrë kërcenime të rënda deri në kufijtë e groteskut, sharje me nënë dhe motër, me grua e me vëlla që mesa di nuk kam, fyerje, ofendime që të bëjnë të shkrihesh gazit për seriozitetin e tyre idiot, pas një shkrimi për vendimin e një futbollisti 20 vjeçar, Milot Rashicës.
Shumë prej tyre i kam lexuar me shpërfilljen e përhershme qe i kushtoj maskave që nxjerrin dyfekun dhe fshehin fytyrën në rrjet. Por, nga ana tjetër, shpërfillja e të parëve ka qenë po aq e madhe sa shqetësimi për kundërreagimin e disa firmave të njohura të shtypit kosovar, të cilët i lexoj, i çmoj dhe për ndonjerin vazhdoj të kem dhe respekt.
Por me çudi prej tyre kam mësuar se unë qenkërshkam për vasalitetin e Kosovës ndaj Shqiperisë, se unë e dashkam Prishtinën të nenshtruar ndaj Tiranës, se e shifkam gjysmën e kombit si pjesë rezerve etj.
Hej miq, as më shkon në mend të perdor skema të tilla gjykimi. Nuk e bëj as kur bëhet fjalë për serbët dhe shqiptarët, për ne apo grekët, e jo për atë nga e cila friksoheni ju…
Por ama, më falni, nuk e dija, vërtet nuk e kisha imagjinuar, se kjo tema e diferencave mes shqiptarëve këndej dhe andej ngjallka kaq shumë pasione dhe fshehka kaq komplekse të gatshme për të shpërthyer.
Nuk e dija se edhe kolegë qe i vlerësoj si mendjehapur dhe të emancipuar, të ishin kaq vulnerabël se mos i paragjykojnë si qytetarë të dorës së dytë….
Jooooooo Jugosllavia ka vdekur dhe nuk ka më këtej nga anët tona qytetare të dorës së parë apo të dytë.
Ka prishtinali të mençur, si tiranas dallkaukë, ka vlonjatë trafikantë sikurse drenicakë kriminelë, tropojanë të lexuar sikurse gjakovarë bujarë.
Unë njerzit i gjykoj si individë dhe jo në bazë të etnisë, krahinës, komunitetit gjinisë apo qoftë dhe orientimit seksual që i përkasin.
Kjo është ajo që mendoj. Prandaj besoj se referencat me qytetin e Milotit, me himnin apo flamurin, në shkrimin që shkaktoi kaq shumë mllef dhe rreagime, i kanë keqkuptuar ata që vuajnë nga kompleksi i tyre. Unë jo.
Ato i kam përdorur thjeshtë si hiperbola ironike për treguar se zgjedhja e kombëtares nuk është as çështje patriotizmi as heroizmi.
Aq më pak tradhëtie (në kuptimin patriotik të fjales). Ajo mbi të gjitha është çështje dinjiteti individual ashtu si cdo zgjedhje e madhe në jetë.
Fatkeqësisht Milot Rashica, me këtë zgjedhje, hyri në historinë e kombëtares së re të Kosovës nga dera e vogël.
Ai vendosi si fëmijë i llastuar, hatërmbetur dhe hakmarrës. Ai nuk zgjodhi me zemër, por me maraz. Nuk zgjodhi me idealizëm, por me mllef.
Ai u soll si egoist, në nje sport që kërkon mbi të gjitha sakrificë dhe vetmohim në emër të ekipit. Prandaj ai mbi të gjitha tradhëtoi shokët e tij të skuadrës. Me këtë sy i ftoj ta lexojnë edhe njëherë shkrimin gjithë fshikulluesit e mij. Mbase i vlen per t i’u kuruar sadopak komplekset e qytetarit të dorës së dytë të ish jugosllaviste….
*Shkrim i paedituar