Protesta masive në Beograd, Vuçiq angazhon ish-policët që kishin braktisur Policinë e Kosovës

Sipas informacionit të mediumit danas, Aleksandër Vuçiq do të angazhojë për 15 mars ish-policë të pensionuar nga Kosova, me qëllim që të shkaktojnë trazira në Beograd, transmeton Periskopi.
Një pjesë e tyre janë nisur tashmë drejt kryeqytetit, Beogradit së bashku me një grup njerëzish që duhet të kalojnë ditët e ardhshme në parkun e Pionierëve.
Bëhet fjalë për ish-policë që kanë punuar në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, pastaj janë integruar në Policinë e Kosovës dhe më pas kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Pas largimit nga Policia e Kosovës, ish-policët janë pensionuar nga shteti serb dhe tani, përveç pensioneve, ata marrin edhe kompensim për pagat që kanë marrë nga Policia e Kosovës, ndërsa ata që kanë punuar drejtpërdrejt në Policinë e Kosovës marrin kompensim financiar nga buxheti i Serbisë.
Të dyja grupet nuk bëjnë asgjë, por marrin kompensim nga shteti serb prej 65 mijë dinarë (555 euro) në muaj, ndërsa ish-policët e MUP-së marrin edhe pensione prej 70-80 mijë dinarësh (600-680 euro).
Për këtë angazhim shtesë, sipas informacioneve të besueshme, regjimi aktual i Vuçiqit u jep atyre 100 euro në ditë.
Të gjithë ata janë ftuar që ditët në vazhdim, para 15 marsit dhe protestës së madhe të shpallur nga studentët, të jenë në Beograd dhe të vihen në dispozicion të regjimit të presidentit serb. /Telegrafi/