Protesta e SBASHK-ut, Nagavci: Kontratat kolektive nuk mund të diskutohen në kohë fushate
Sindikata e Arsimit ka protestuar duke kërkuar nga Ministria e Arsimit nënshkrim të kontratës kolektive, rritje të pagave të mësimdhënësve, e nisje të dialogut social. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se kontratat kolektive nuk mund të negociohen në kohë të fushatave elektorale e se rritja e pagave tashmë ka ndodhur.
Ministrja Nagavci tha se dialogu social mes MASHT-it dhe SBASHK-ut nuk ka munguar asnjëherë. Ajo shtoi se janë të gatshëm si ministri për një dialog të mirëfillit për bashkëpunim konstruktiv, por theksoi se dialogu nuk nënkupton imponim të kërkesave, apo përfillje të kërkesave të vetëm njëres palë.
“Në këtë pikë është e rëndësishme të përmendim që një ndër kërkesat e vazhdueshme përfshirë edhe kërkesen për të cilën u bë grevë para dy viteve, ka qenë rritjae pagave. Dhe nëse e shohim gjendjen aktuale të pagave në sektorin e arsimit, ka një rritje të dukshme që nga marrja e mandatit e deri më sot. Pra njëra nga kërkesat, që ka të bëjë me rritjen e pagave është pothuajse e përmbushur”, tha ajo në RTK.
“Dhe kërkesa tjetër që ka të bëjë me kontratën kolektive, është një gjë të cilën ia kemi bërë të qartë kryesisë së SBASHK-ut, kontatat kolektive të lidhura tradicionalisht së paku në vitet e fundit, janë lidhur në kohë të fushatave zgjedhore, dhe janë bërë pa respektuar legjislacionin në fuqi, pa u bërë asnjë analizë financiare dhe pa u dhënë miratimi nga Ministria e Financave gjë që ka rezultuar me dëmtim të buxhetit”, shtoi ministrja Nagavci.
Duke folur për rezultat në arsim, Nagavci tha se janë të vetëdijshëm se duhet akoma edhe shumë punë për përmirësimin e rezultateve.
Lidhur me takimin e djeshëm me SBASH-un që u quajt takim i dështuar, ministrja Nagavci tha se e kanë njoftuar edhe këtë sindikatë, se në këtë kohë të parafushatës elektorale nuk mund të zhvillohen diskutime për kontratën kolektive.