Protagonist në eliminimin e Dritës: Krasniqi i thotë po Kombëtares së Kosovës
Një tjetër futbollist që po lë shenja në futbollin evropian ka vendosur që ta përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Laurit Krasniqi, i cili ishte protagonist në fitoren e mbrëmshme 2:0 kundër Dritës.
Krasniqi arriti ta zhbllokojë rezultatin i pari në ndeshjen mes Dritës e Antwerp, duke e kaluar në epërsi këtë të fundit në minutën e 53’ në stadiumin “Fadil Vokrri”.
E shumë shpejt, Lauriti, pritet të paraqitet në këtë stadium edhe në fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe të shndërrohet në idhullin e tifozëve dardanë.
Krasniqi është shprehur i lumtur që po i jepet mundësia të japë kontributin e tij për vendin e origjinës dhe se do të bëjë çmos që të vazhdojë të luajë në nivele sa më të larta dhe t’i bëjë krenarë familjen e tij dhe të gjithë tifozët e Kombëtares së Kosovës.