Pronto II: Na kena luftu
Publikimi i përgjimeve të fundit të të ashtuquajturës ‘Pronto II’, nuk ka sjellur asgjë të re. Personazhi kryesor ose më mirë thënë, kurbani, ashtu si në ‘Pronto I’ është Adem Grabovci me rolin e tij për punësime. Habitemi sërish me gjuhën e Hashim Thaçit dhe një pjesëmarrje e ‘lehtë’ në lojë të Kadri Veselit, të cilit i jepet llogari edhe në ‘Pronto I’ edhe në ‘Pronto II” për punësime, avancime e çkado tjetër.
Kur dëgjojmë përgjime të tilla, ndaj të cilave jemi bërë tepër imun dhe i shikojmë pa ndonjë interesim të madh përveç rreth 48 orëve, shikojmë personat e njëjtë të cilët që nga paslufta kontrollojnë gjithçka në këtë vend.
Roli i njëjtë: Hashim Thaçi me gjuhën e tij, që sidoqoftë, dikush kishte me thënë ‘ne njerëz jemi dhe shajmë në telefon’, por si një person me postet më të rëndësishme në shtet, shanë pas çdo fjale, eventualisht çdo fjalie.
Personazhi që provohet të largohet nga ‘bajraktari i nëntokës’ Kadri Veseli, në këto përgjime gjithmonë na vjen si një nga më të ‘pa interesuarit’. Që interesohet veç për ndonjë punësim aty këtu ose a ka pas hotel të mirë Grabovci në Bruksel (Pronto I).
Por pyetja që rëndom më sjellët në kokë është: Si ka mundësi që një person pa ndonjë post në PDK atëkohë madje i panjohur për shumë njerëz, të pyetet për çdo gjë. Nëse do thoshte njeriu se mund të ketë qenë ndonjë investitor i PDK’së, pasuria e tij e shfaqur edhe nëpër media del të jetë tejet modeste. (This is funny isn’t it. P.S. Patjetër më duhej të shprehesha në anglisht).
Asgjë e re nga ‘Pronto II’
Ju mund të pyesni të afërm, shokë e miq se si provojnë të punësohen në ndonjë institucion publik dhe përgjigja që rëndom e marrin, është se “na vjen keq, ishe ndër më të mirët, por këtu është zgjedhur njeriu që do ta marrë punën ende pa u hapur konkursi”. Dhjetë raste mund t’ua numëroj unë që i njoh, por jo në këtë shkrim.
Reagimi ynë përballë këtyre përgjimeve është i njëjtë çdo herë. Shajmë, mallkojmë nëpër rrjete sociale, ironizojmë dhe asgjë më shumë. Duke reaguar në këtë mënyrë, njerëzve të përfshirë në këto përgjime, ua ofrojmë komoditetin që të tallen me ne. Ata arsyetohen me autobiografinë e tyre të kohës së luftës: Na kena luftu. Ok?
I tillë ishte edhe reagimi i Adem Grabovcit, personazhit kryesor në përgjime.
“Më vinte me qesh dhe me qajtë në çfarë gjendje jemi”, thotë Adem Grabovci pasi ka bërë një rezyme të jetës së tij të paraluftës, të një heroi të luftës dhe që i vjen me qesh e me qajtë si një njeri ‘hero’ i pasluftës.
Ashtu si Grabovcit dhe shokëve të tij, heronj të vetëshpallur të luftës e të pasluftës, edhe mua më vjen me qesh e me qajtë për gjendjen që na e kanë shkaktuar pikërisht këta ‘heronj’.
Nëse shohim këta njerëz në xhirime të ndryshme dhe nuk kemi asnjë pikë dyshimi se kanë pasur të veshura unfiromat e UÇK’së, mjafton ky detaj i madh, që ne mos të dyshojmë se kanë luftuar. Çka dreqin mund të bëjë një ushtar ose komandant tjetër në luftë nëse me uniformë në trup s’paska luftuar?
“E them pa pikë modestie që sakrifica dhe angazhimi im dhe i bashkëluftëtarëve të mi, kanë sjellë lirinë e qytetarëve të Kosovës”, thotë Grabovci.
Kur i dëgjon njeriu të flasin kështu, të hidhet t’u hidhesh në përqafim. T’u kërkosh falje për ‘dëmin’ që u është shkaktuar, t’i mbyllë veshtë me dyllin më të trashë në botë dhe fytyrë-skuqur të largohet nga kritikat. Dhe modestinë ta ndalojmë me ligj për ta. Le të shprehen, le t’na shurdhojnë duke na treguar si kanë luftuar.
Por harrojnë një gjë: Secili nga ne, kemi vuajtur nga ato veprime që janë evidente në përgjime. Secili nga ne, vuajmë nga fuqia e tyre e pashpjegueshme për të pasur kontroll mbi gjithçka.
“Përshtypje më bën a është përfillë ligji kur janë publikuar gjëra të tilla?”, thotë Adem Grabovci.
Edhe mua më bën përshtypje a janë përfillur ligjet gjatë atyre punësimeve në përgjime, a përfillen ligje kur avancohen njerëz në Universitetin e degraduar të Prishtinës? A përfillen ligje kur ia vëni lakun në fyt RTK’së? A përfillni ndonjë ligj diku? Se e dimë që keni luftu…