Prokuroria Speciale nis hetimet për rrugën në Komaran, për të cilën kompania kishte ofertuar me 5 centë metrin katror

Prokuroria Speciale nis hetimet për rrugën në Komaran, për të cilën kompania kishte ofertuar me 5 centë metrin katror

Një tjetër kontratë e nënshkruar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës -MMPHI është bërë cak i hetuesisë. Bëhet fjalë për një kontratë të nënshkruar në kohën kur në këtë ministri menaxhonte, ministri Pal Lekaj, por për të cilën ekzistojnë dyshimet se janë përfshirë  edhe zyrtarë në qeverisjen e ministrit, Liburn Aliut, shkruan Periskopi.

Te vendi i njohur ‘Kroni i Mbretit”, që shtrihet buzë magjistrales Prishtinë -Pejë, është asfaltuar gjysma e poshtme e rrugës në fund të vitit të kaluar, ndërsa sipërfaqja e pjesës së sipërme  të rrugës ka mbetur e pa gërryer që mbi tre vjet. Në fakt, asfaltimi, por edhe gërryerja e kanë një histori që çon në korrupsion. Në këtë vepër të keqpërdorimit dyshohet se ka gisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu, dhe ish menaxhmenti që udhëhiqet nga Pal Lekaj.

Periskopi ka raportuar se, në vitin 2020, rruga ishte gërryer disa kilometra në të dy anët e magjistrales, prej Komoranit deri në afërsi të Parkut të Biznesit. E në vitin që lamë pas,  u vendos që të asfaltohet vetëm një pjesë e saj në të dyja anët. Kjo për shkak se kompanisë nuk i doli fitimi, madje do të shkonte në humbje afro 2 milionë euro, pasi kur e kishte fituar tenderin, pozicionin për asfalt e kishte vendosur në ofertë vetëm 5 cent m2 dhe kishte fryrë dukshëm pozicionet tjera të cilat do të kryheshin pashmangshëm.

Periskopi ka mësuar se Prokuroria ka nisur një hetim lidhur mr dhënien e kësaj kontrate dhe menaxhimin.

“Hetues policor të autorizuar nga Prokuroria Speciale kanë qenë në ministri dhe kanë marrë disa dosje lidhur më projektin “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri në kyçjen në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9””, ka bërë të ditur një burim brenda MMPH-së për Periskopin.

Lidhur më këtë çështje, Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga Prokuroria Speciale, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Çka kishte gjetur Periskopi?

Në fillim të korrikut të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës që drejtohej nga Pal Lekaj, kishte nënshkruar një kontratë kornizën për tri vite që quhej “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri në kyçjen në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9”.

Kontrata ka qenë e ndarë në 2 lote (pjesë).

Pjesën e dytë e kishte fituar grupi i kompanive “Damstation Project & Via Engantia& Urban” në vlerë prej 3,500,654,70 euro, dhe kishte të bënte me mirëmbajtjen: Segmenti Besi -Gjurgjicë, udhëkryqit të autoudhës A7/A6 – deri në Konjuh dhe kyçja me rrugën nacionale N2.

Pra, rruga është gërryer nga kompanitë “Damstation Project & Via Engantia& Urban” .

Mëshohet se aty janë gërryer 220 mijë m2 asfalt, që aktualisht në treg kushton rreth 7 euro m2 i asfaltit me fibra, e që kompanisë do t’i kushtonte rreth 1.3 milionë euro, po ta asfaltonte. Por, kompania, sipas kontratës e cila është e publikuar në KRPP, tek lista e çmimeve të kontratës, që ka të bëjë me “Mirëmbajtja e shtresave të asfaltit”,  ka paraparë pozicionin “Shtesa e re qarkulluese SMA, 11 me trashësi mesatare prej 4 cm me gërryerje”. Në këtë kontratë, për tri vjet, për këtë pozicion kanë qenë të parapara të asfaltohen sasia prej 210, 600. 00 m2, në një vlerë prej 0,5 cent për m2. Totali i saj i bie vetëm 10 mijë e 530 euro.

Pra, siç shihet, kompania kishte ofertuar me çmime të ulëta tek ky pozicion vetëm që ta fitonte kontratën, duke mos llogaritur që do të kërkohej asfaltimi i rrugës, ndërkohë në pozicionet tjera kishte vendosur çmime tejet të larta. P.sh, duke e ditur se në terren mund të shfaqet nevoja vetëm për riparim të ndonjë pjesë të rrugës, kishte vendosur çmim prej 12 euro për m2 për pozicionin 5.2 “Riparimi i gropëzimeve, gjurmëve, plasaritjeve të shtresës qarkulluese deri në 4 cm trashësi”. Për këtë pozicion ishin paraparë intervenimi në 1200 m2 në një çmim prej 14,400 euro. 99 mijë euro ishte paraparë vetëm pastrimi dhe larja se paku 2 herë në vit e sipërfaqes qarkulluese për 165 km, që i bije 600 euro për 1km.

Administrata e Liburn Aliut tejkaloi kontratën për 700 mijë euro

Pjesën e dytë e kontratës ishte lidhur në një vlerë prej 3,500,654,70 euro, ndërkohë edhe pse nuk është përmbushura ajo sipas kushteve të saj, tek asfaltimi i rrugës, Periskopi ka gjetur se ka pasur një tejkalim prej mijëra eurove.

Duke u thirrur mbi Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Periskopi para disa ditëve ka pranuar qasje nga MMPHI në situacionet e pagesave për këtë tender. Aty shihet se pagesa totale ka qenë 4, 302, 924 euro, ose rreth 700 mijë euro mbi kontratën bazë. Kjo shumë është të paguar 41 stacione. 25 stacione janë paguar vetëm nga qeverisja aktuale për vitit 2021-2022.

Periskopi ka raportuar se Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga zëvendësministri, Hysen Dumrishi ka lëshuar referenca për punët e kryera, për kompaninë “Damastion Project” më datë 03.03.2022 , për kryerje të punimeve, ende pa përfunduar kontrata dhe pa u përfunduar disa pozicione të kontratës. Pra bëhet fjalë për referencat e projektit “Mirëmbajtja e Autostradës A7 Ibrahim Rugova”, që është nënshkruar në korrik të vitin 2019, me kohëzgjatje për 3 vjet dhe me validitet deri më 3 korrik 2022.

Po ashtu, pos që është lëshuar referencë për kontratën që nuk ka përfunduar, Periskopi, posedon edhe dy procesverbalet për pranimin teknik të punimeve në këtë rrugë.

 

 

Ligji nuk njeh “Referenca”, por Certifikatë për punët e kryera

Referuar Ligjit të Prokurimit Publik -LPP mbi të cilin edhe realizohen kontratat publike, ministria ka vendosur kriter fiktiv, në kundërshtim me LPP-në, kur ka përmendur termin ‘Referencat’.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e ka sqaruar këtë para pak ditëve tek rubrika Pyetje dhe Pergjigje, ku palët e ndryshme kërkojnë interpretim të LPP-së, ky institucion u përgjigjet.

“Në asnjë nga dispozitat 65-70 të LPP-së nuk përmendet termi ”Referencë” në kuptim të dëshmisë që një operatorë ka kryer në mënyrë të knaqshme një kontratë. Kjo mund të dëshmohet me Raportin përfundimtar të kryerjes së punimeve apo me certifikata për kryerje dhe/ose përfundim te knaqshem te projekteve, e cila dëshmi përmendet ne nenin 69- te LPP-së. Megjithatë , nëse Autoriteti Kontraktues kërkon referenca për realizim te knaqshem te kontratave, duke specifikuar minimumin e numrit te referencave ne Dosjen e tenderit , dhe ne Njoftimin për Kontrate, referencat duhet te jene per kontratat e specifikuara ne Listën e kontratave dhe duhet te sillen nga anetari i grupit , nëse i njëjti ka qene ekzekutues i kontratave përkatëse, ne mënyrë që të konsiderohet se kërkesa është përmbushur nga grupi si tërësi”, thuhet në interpretimin e KRPP-së.

Pra, shprehimisht KRPP-ja ka thënë se autoritetet kontraktuese nuk mund të vendosin si kritere, kërkesën ‘Referenca për punët e kryera’, por Raportin përfundimtar të kryerjes së punimeve apo me certifikata për kryerje dhe/ose përfundim të kënaqshëm të projekteve.

Tek dokumenti i lëshuar për ‘Referenca’, nënshkrimin e kanë hedhur ish-Sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi dhe Drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, Ramë Qypeva.

Ministria e qet pak asfalt jashtë standardeve

Pas një sërë shkrimesh të Periskopit, ministria ka detyruar kompanitë që të dalin në punishte dhe të asfaltojnë rrugën e mbetur. Kompanitë kanë asfaltuar vetëm një pjesë të saj, rreth 30 për qind dhe i kanë ndërprerë punimet.

Periskopi ka qenë në terren dhe ka parë që rruga nuk është asfaltuar sipas standardeve të kontraktimit. Pra është dashur që të vendoset asfalt me guri eroktiv, ndërsa ka vendosur guri gëlqerorë, i cili është për katër herë edhe më i lirë në treg.

Sipas fotografive të siguruara, aty së fundmi asfalt ka shtruar kompania e dostit të zëvendësministrit, Hysen Durmishi, kompania “Bageri”.

Në kontratën që e ka parë redaksia, kompania “Bageri” nuk ka qenë nënkontraktor i konzerciumit fitues, dhe kjo hapë dilem për shkelje të kontratës, pasi gjatë aplikimit vendosen nënkontraktor.

Ajo hapësira e vogël që është asfaltuar në vitin e kaluar është jashtë standardeve për të garantuar jetëgjatësinë dhe efikasitetin e shpenzimeve të fondeve publike për këtë qëllim. Këtë e ka vërtetuar  zyrtarisht vet Ministria e Infrastrukturës.

Laboratori i ministrisë vërteton se asfalti i shtruar është jashtë standardeve

MMPHI e ka të kontraktuar një laborator i cili bën ekzaminimin e materialeve ndërtimore dhe konstruksioneve, që quhet IMK “Ballkan Projekt” shpk.

Në çdo projekt, zyrtarët e ministrisë dalin në vendpunishte bashkë me laboratorin dhe shohin nëse materiali i vendosur ndërtimor është konform standardeve dhe kontratës. Kështu kanë vepruar edhe me asfaltin që është shtruar vjet në verë.

Periskopi ka kërkuar qasje për të parë rezultatin e raporteve dhe ministria  na ka dërguar katër sosh.

Raportet që janë hartuar në korrik 2022, flasin për punime skandaloze që janë jashtë standardeve të rrugës.

Aty shihet se në asfalt mungojnë fraksionet e agregatit (grupi i zhavorit).

Asfalti nuk është i punuar me gurë eruptiv, por gurë gëlqeror.

Edhe përqindja e bitumit është e ulët. (Për prodhim të asfalt-betonit si material lidhës përdoret bitumi për sipërfaqe qarkulluese).

Jashtë parametrave është  edhe filleri (mielli guror ose filleri është material guror me madhësi të kokërrave më të vogla se 0.71mm. Pjesa e miellit guror kokrrat e të cilit janë më të vogla se 0.09mm, quhet mbushës. Përmbajtja e grimcave të imëta ndikon në indeks të ngurtësimit të bitumit, sepse prej cilësisë së mastiks bitumit (bitumi + fileri) varet karakteristika kohezive e përzierjeve të asfaltit. Roli i mastiksit është që jo vetëm të lidh kokrrat e agregatit po edhe të mbush zbrazëtirat në skeletin guror).

Më thjesht, asfalti duhet të përbëhet nga shumë komponentë për të qenë i lidhur ndër vete për rezistencë, dhe disa nga thërrimet e komponentës mungojnë, e disa kanë vlera shumë të ulëta të qëndrueshmërisë. Si rezultat, mungesa e këtyre komponentëve e bënë koston shumë të ulët të prodhimit të asfaltit.

Pra, asfalti është një përzierje e komponentëve përbërëse të vendosura e të ngjeshura në shtresë të caktuar. Përzërja e asfaltit është përzierje e agregatit të granuluar dhe bitumit të caktuar, më ç’rast të gjitha kokrrat e agregatit janë mbështjellur me bitum, dhe agregati është çdo material me prejardhje nga guri, i garantuar i cili përdorët në projektimin e përzierjes të asfaltit.

Raportet janë të ndara me metrazh. Psh, tek profili P-180 m Parku i Biznesit në Korroticë, përqindja e bitunimit të kërkuar është mbi 6, ndërsa ka rezultuar të jetë 4. 87.

Përqindja e fillerit është dashur të jetë mbi 10, dhe ka rezultuar 4.77.

Laboratori ka vërejtur se trashësia e kërkuar prej 4 cm e asfaltit, në shumë pjesë është nën këtë kuotë, duke shkuar deri në 2.99 cm,

Laboratori nuk ka mundur të identifikojë llojin e bitunimit, pasi nuk i është ofruar mostra për ekzaminimet paraprake.

Ndonëse, nuk ka qenë kontraktor i këtij, pjesa e asfaltit në Korroticë është shtruar nga kompania “Bageri”, kompani kjo për pronarin e të cilës, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Dumrishi ka thënë se e ka shok. Asfalti i identifikuar, i prodhuar për aty është bërë nga “Kosova Asfalt”, kompani kjo që është në emrin e djalit të pronarit të “Bagerit”. /Periskopi -Mentor Buzhala/

Shpërndaje në: