Prokuroria Speciale jep detaje për arrestimin e dy shqiptarëve të dyshuar për spiunazh me shërbimin sekret serb
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar të mërkurën se janë arrestuar dy shqiptarë në Ferizaj, nën dyshimet për spiunazh me shërbimin sekret serb, shkruan Periskopi.
Sipas njoftimit, operacioni i Prokurorisë është zhvilluar së bashku me AKI’në, pas hetimeve disa mujore.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”
Prishtinë, 5 qershor 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.”– thuhet në komunikatën për media.
Me Aktvendim të Prokurorisë Speciale, të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë./Periskopi
Ky është njëri nga të arrestuarit në Ferizaj, nën dyshimin se spiunonte për shërbimin sekret serb