Prokuroria Speciale 0 – 4 Albin Kurti: Vazhdon saga e mosparaqitjes së kryeministrit në Prokurori

Kryeministri Albin Kurti, refuzoi katër herë kërkesën e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar rreth rastit të rezervave shtetërore. Madje, ky i fundit pati edhe urdhër nga Gjykata Themelore për t’u paraqitur më 4 mars. Pavarësisht kësaj, ai nuk shkoi. Por, se çka e pret Kurtin tutje – ende nuk dihet…
Enis Rrustemi, Periskopi
Pasi zgjodhi të mos shkonte as për të katërtën herë, Prokuroria Speciale doli me një reagim.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”, sipas njoftimit zyrtar.
Teksa në anën tjetër, pati reagim edhe nga zyra e Kryeministrit.
Zyra e Kurtit thotë se kjo çështje është ‘politizuar’ dhe insiston se Kurti është i gatshëm të japë dëshminë, por me kushtin që ajo të merret në zyrën e tij.
Refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për t`u paraqitur në Prokurorinë Speciale për intervistim në cilësinë ka nxitur reagime e aleatëve të Kosovës.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe ambasadat e disa vendeve evropiane kanë vlerësuar se ligji duhet të respektohet nga të gjithë.
“Respekti për sundimin e ligjit është një tipar thelbësor i demokracisë së Kosovës. Ne i nxisim të interesuarit në këtë rast që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të respektojnë procesin e duhur ligjor dhe të punojnë në interesin më të mirë të vendit”, është thënë në përgjigjen e ambasadës britanike për Klan Kosovën.
Edhe Ambasada e Gjermanisë ka vlerësuar se ligji dhe procedurat duhet të respektohen nga të gjithë.
“Jemi plotësisht dakord me deklaratat e bëra nga misionet e tjera. Ne presim që të respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe të respektohen procedurat dhe proceset përkatëse nga të gjithë”, është shprehur zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë, Christian Böttcher.
Lidhur me mospërfilljen e Kurtit ndaj ftesave të Prokurorisë, avokati Skënder Musa ka folur rreth procedurave se si mund të gjobitet kryeministri për refuzimin që po i bën organeve të drejtësisë.
Musa i ka thënë Periskopit se Kurti mund të arrestohet dhe t’i shqiptohet masa e paraburgimit prej 1 muaj, pasi që nuk ka imunitet që e mbron.
“Nuk ka asnjë imunitet që e mbron asnje njeri që thirret me dëshmu për vepra penale të korrupsionit dhe ministrat dhe kryeministri nuk kanë imunitet për mos me dëshmu se lidhet me punen e tyre. Ligji e parasheh obligim për secilin qytetar për me dëshmu rreth zbardhjes së cështjes penale. Për ato çka ka parë që janë në dijeni dhe çka ka dëgju. Për mosparaqitje në Gjykatë dispozita ligjore e parasheh që dëshmitari mundet të gjobitet deri në 250 euro, por nuk e parasheh sa here mundet me u ndëshku nëse nuk paraqitet atëherë parashihet e drejta e urdhëresës së Prokurorisë edhe me u arrestu dhe e gjykates me i shqiptu masën e paraburgimit prej një muaj…”, tha ai për Periskopin.
Edhe avokati Bajraktari ka shpjeguar se cilat janë masat që merren ndaj personit i cili shpërfill urdhërin e Gjykatës, në këtë rast të Kurtit.
“Duke qenë se kemi urdhër Gjykate, mbetet që mosparaqitjen eventuale ta arsyetoj – gjë e cila vështirë mund të bëhet. Pas kësaj kodi i procedurës penale neni 132 është i qartë sipas së cilës gjyqtari i shqipton gjobë prej 250 euro për mosparaqitje”, tha Bajraktari për Periskopin.
Ikja e Kurtit nga Prokuroria, i la vendit një imazh të keq edhe në arenën ndërkombëtare.
Ballinat e mediave më prestigjioze ishin të mbushura me atë se si Kryeministri i Kosovës po refuzon vazhdimisht të dëshmoj në Prokurori për një rast të dyshuar korrupsioni.
Ndryshe, Periskopi ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë rreth asaj se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm që do të marrë pas mospërfilljes së urdhërit nga kryeministri Kurti, por të njëjtit deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje./PERISKOPI/