Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj tre personave për rastin “Albkings”

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj tre personave për rastin “Albkings”

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N., dhe E.S., lidhur me rastin “Albkings”.

Prokurori i Shtetit, njofton se aktakuza në këtë rast u ngrit pas një pune të pandërprerë hetimore.

“Aktakuza është ngritur kundër të pandehurve F.P., E.N. dhe E.S. Kundër të pandehurve rëndojnë veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje” nga neni 277/H, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Ligjit Nr. 08/L-188 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe lidhur me nenet 31 dhe 77 të KPRK-së, “Shantazhi” nga neni 329, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 i KPRK-së dhe “Shtrëngimi” nga neni 192, paragrafi 1 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se tre të akuzuarit kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim fajësie.

“Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit ka deponuar aktakuzën së bashku me marrëveshjet përkatëse për pranimin e fajësisë, të cilat janë arritur ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe të pandehurve”, njofton Prokuroria.

Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.

Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, Nevzadi ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës AA., dhe numrin e telefonit të të dëmtuarës BB, kinse e njëjta ofron shërbime seksuale. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: