Prokuroria lëshon urdhër ndalimi ndaj Sekiraqës dhe katër personave të tjerë
Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër për ndalimin e pesë personave të dyshuar për përfshirje në konfliktin e armatosur të dielën në Prishtinë, përfshirë Salih Sekiraqën.
Në një njoftim për media të hënën, Prokuroria tha se me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë të dyshuar për rastin.
Të dyshuarit, janë Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi.
Hetimet ndaj tyre kanë nisur në drejtim të veprave penale: vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje.
“Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale Vrasja e Rendë në bashkëkryerje, si dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ku në këtë rast me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë (5) persona”, tha Prokuroria e Prishtinës, raporton Paparaci.
Prokuroria tha se janë duke u zhvilluar veprime hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast, “pasi që dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të pa identifikuar”.
Në njoftim thuhet se me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës si dhe janë kryer veprimet hetimore nga Njësia e Forenzikës.
“Po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia”, tha Prokuroria e Prishtinës.
Pesë të dyshuarit, të cilët janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, janë anëtarë të familjeve Sekiraqa dhe Gashi. Dy familjet janë në konflikt me njëra-tjetrën.
Të plagosurit janë dërguar të dielën me urgjencë në Qendrën Emergjente në QKUK dhe momentalisht janë jashtë rrezikut për jetë, konfirmuan sot drejtorët e klinikave të Kirurgjisë Abdominale dhe Ortopedisë.