Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit për kontrabandë dhe sulm ndaj policisë

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj dy personave me inicialet M.B. dhe M.B., shtetas të Kosovës nga fshati Bllacë i Maqedonisë së Veriut. Ata dyshohen për veprat penale “Kontrabandim me mallra” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, më 26 shkurt 2025, rreth orës 21:00, të dyshuarit tentuan të kalonin vijën kufitare nga Kosova në Maqedoninë e Veriut duke shmangur kontrollin doganor. Ata u ndaluan në fshatin Krivenik, rreth 200 metra larg kufirit, duke transportuar mallra të ndryshme me një veturë “VW Sharan” të zezë. Me këtë veprim, ata dyshohet se tentuan të kryenin veprën penale të kontrabandës.
Gjithashtu, sipas hetimeve, të dyshuarit kundërshtuan ndalimin nga policia dhe tentuan të godisnin me veturë një zyrtar policor. Në vetëmbrojtje, polici A.Rr. përdori armën e tij zyrtare, duke bërë që të dyshuarit të devijonin drejtimin. Ata u ndoqën nga policia dhe u arrestuan, por gjatë arrestimit rezistuan dhe sulmuan zyrtarët policorë. Si pasojë, dy policë, A.R. dhe Sh.M., pësuan lëndime dhe morën trajtim mjekësor.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit për 30 ditë.