Prokuroria kërkon dënimin e ish-kryetarit të Leposaviqit dhe të akuzuarve tjerë
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, u dha fjala përfundimtare në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe të akuzuarve të tjerë, ku prokurorja Merita Bina-Rugova kërkoi dënimin e tyre, kurse mbrojtja kërkoi që të akuzuarit të lirohen nga akuza.
Në këtë rast, aktakuza ngarkon ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurorja Bina-Rugova, në fjalën përfundimtare deklaroi se pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të përshkruara si në aktakuzë. Kërkoi që të njëjtit të dënohen në përputhje me ligjin.
Kurse, avokati Ramë Gashi, mbrojtës i Jabllanoviqit, e konsideroi të pabazuar fjalën përfundimtare të prokurores dhe kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij.
Jabllanoviq mbështeti avokatin e tij duke deklaruar se nuk ndihet fajtor.
“Nuk ndihem aspak fajtor, sepse nuk kam kryer asnjë vepër penale”, tha Jabllanoviq.
Avokati Ekrem Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Bejta, tha se nuk është dëshmuar fajësia e të mbrojturit të tij dhe kërkoi lirimin e tij. Vetë Bejta deklaroi se nuk ka lidhje me grupin kriminal dhe ka vepruar gjithnjë në përputhje me ligjin.
Avokati Florent Latifaj, mbrojtës i të akuzuarit Ackoviq, kundërshtoi akuzat duke i quajtur të pabazuara dhe kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij. Edhe Ackoviq mbështeti avokatin e tij.
Avokati Xhafer Tahiri, mbrojtës i të akuzuarit Haxhiu tha që shpreson se Gjykata do të sjellë një aktgjykim lirues.
Edhe avokati Avdi Dinaj, mbrojtës i Aleksandar Kostiq, kërkoi lirimin e këtij të fundit, për shkak të mungesës së provave. Kostiqi mbështeti fjalën e avokatit të tij.
Avokatja Gerta Ragipi, mbrojtëse e Çedomir Timotijeviq vuri në dukje se gjatë fjalës përfundimtare, prokurorja nuk përmendi asnjëherë klientin e saj.
E mbrojtësi i Mensur Ramës, avokati Lutfi Tahiri, kundërshtoi ligjshmërinë e provave, duke deklaruar se ato janë marrë para nxjerrjes së aktvendimit për fillimin e hetimeve. I akuzuari Rama mbështeti avokatin e tij.
Avokatët Imer Bejta, Ahmet Arifi, Agim Lushtaj dhe Kimete Krasniqi, që përfaqësojnë të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiun, Mirosllav Ivanoviqin dhe Ivan Kadiqin, u shprehën se qëndrojnë pas fjalëve përfundimtare të dorëzuara me shkrim.
Avokati Fisnik Sogojeva, mbrojtës i Nijazi Musliut, kërkoi lirimin e tij për shkak të mungesës së provave. Musliu deklaroi se ndihet e pafajshëm.
Avokatët Arianit Koci dhe Faruk Korenica, mbrojtës të të akuzuarve Millovanoviq dhe Banoviq, argumentuan se fjala përfundimtare e prokurores Bina-Rugova ishte vetëm një përshkrim i aktakuzës. Të akuzuarit mbështetën fjalët e mbrojtësve të tyre.
Ndryshe, në seancën e 20 shtatorit 2024, ka dhënë mbrojtjen ish-kryetari i Leposaviqit, i cili ka mohuar se ka ndikuar në punësimin e të akuzuarve tjerë.
Aktakuza ngarkon Dragan Jabllanoviq, ish-kryetar i Leposaviqit për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.