Prokuroria e konfirmon se IML po e kryen autopsinë e trupit të Faton Hajrizit
Në Institutin e Mjekësisë Ligjore aktualisht po bëhet autopsia e trupit të pajetë të Faton Hajrizit, në prani të prokurorit të shtetit.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.
“Tash është duke u bërë autopsia ku prezent është edhe prokurori i PTH Mitrovicë”, ka thënë Preteni.
Familjarët e Hajrizit pak më herët kanë identifikuar trupin.
Trupi i tij është kthyer në Kosovë sot në orët e para të mëngjesit, fiks 3 javë nga dita e vrasjes.
Faton Hajrizi u arratis nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë më 6 korrik të këtij viti. Pak ditë më vonë, ai u bë i dyshuar dhe u shpall në kërkim për vrasjen e një polici në Serbi. U vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe më 19 korrik.
Sipas mediave serbe, ai po strehohej në një fabrikë të braktisur. Për të shkuar atje, i ishin nevojitur 2 orë e 44 minuta. Distanca prej vendit ku u vra polici serb dhe kësaj fabrike raportohet se është 11.4 kilometra.