Ish kryetari i Supremes: Gjykatës i ka mbetur vetëm që të lëshojë urdhër për sjellje me detyrim

Ish kryetari i Supremes: Gjykatës i ka mbetur vetëm që të lëshojë urdhër për sjellje me detyrim

Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka treguar nëse kanë gjobitur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas mospërfilljes së urdhrit të gjykatës që i njëjti të paraqitet në Prokurori Speciale për të dhënë dëshminë e tij. Prokurorët ende nuk kanë vendosur për hapat e radhës, megjithëkëtë thonë se gjykata ka bazë ligjore që ta gjobis Kurtin. 

Prokuroria Speciale e Kosovës, ende nuk ka vendosur për hapin e radhës, që do të ndërmarr për të bindur kryeministrin Albin Kurti të shkojë e të jap dëshminë, në rastin e rezervave shtetërore.

Përmes telefonit, prokurori Milot Krasniqi ka thënë se e kanë informuar zyrtarisht gjykatën për mosparaqitjen e dëshmitarit, dhe se ky njoftim përbën bazë për gjobitjen e Kurtit.

Krasniqi tutje ka thënë se gjatë së mërkurës kanë analizuar situatën dhe hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmarrin, por që për këtë do të vendoset në ditët në vazhdim.

Por, nga Gjykata Themelore e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje nëse kanë gjobitur Kurtin, për mospërfilljen e urdhrit, me të cilin obligohej të paraqitej për dëshmi në PSRK.

Sipas ish kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, Gjykatës i ka mbetur vetëm mundësia që të lëshojë urdhër për sjellje me detyrim, duke pas parasysh refuzimet e vazhdueshme të Kurtit.

“Dënimin nuk mund ta shqiptojë prokuroria. Të kërkojë nga gjykata që ta dënojë dhe nëse prapë si përgjigjet ftesës, të kërkojë sjellje me detyrim dhe nuk ka alternativë gjykata tjetër përpos ta aprovojë atë kërkesë përpos që të urdhëroj që të paraqitet me detyrim. Kur dëshmitari sillet me detyrim nuk ka ardh vullnetarisht, është sjellë me kërkesë të prokurorisë nga policia me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe vjen në prokurori dhe nuk do të dëshmojë atëherë do të mund të burgoset deri në 1 muaj ditë”, ka thënë Hasani.

Ai thotë se veprimet që kreu i qeverisë po i bënë, duke përfshirë edhe sulmet ndaj sistemit të drejtësisë ndikojnë tek qytetarët dhe krijojnë precedent për mosrespektim të institucioneve të drejtësisë.

“Patjetër që ka efekte negative kushdo që prononcohet është keq dhe keq lexohet dhe keqinterpretohet kjo qasje e tillë në raport me institucionet e drejtësisë, sepse secili qytetar ka për detyrim të e përfill institucionet e drejtësisë.”, ka shtuar Hasani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ftua të dëshmojë në prokurori për rastin e rezervave shtetërore, por i njëjti refuzoi tri ftesa të dërguara nga Prokuroria Speciale. Kjo e fundit iu drejtua Gjykatës në Prishtinë, e që as kjo nuk arriti të e bind Kurtin të paraqitet në PSRK.

Kurti insiston që është i gatshëm të jap informacionet që i kërkohen por vetëm nëse prokurorët shkojnë në zyrën e tij në Qeveri për të marr dëshminë./Dukagjini/

Shpërndaje në: