Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin e pasurisë kalon në Komisionin për Legjislacion

Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin e pasurisë kalon në Komisionin për Legjislacion

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se në Komisionin për Legjislacion, ka kaluar në parim Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Sot, përpara anëtarëve të Komisionit për Legjislacion prezantova projektligjin për Byronë me fokus ndryshimet që ndërlidhen me adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, siç janë retroaktiviteti, periudha e verifikimit, komisioni mbikëqyrës dhe ndarja e pushteteve”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

Ministrja i falënderoj anëtarët e Komisionit për diskutimet dhe votimin e këtij projektligji të rëndësishëm që ka për qëllim ndjekjen e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve.

Javën e kaluar, ekzekutivi ka miratuar projektligjin e ri për byronë, ku sipas ekzekutivit, janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në Kuvend ligji kaloi më 9 shkurt 2023. Pas kësaj, u sfidua në Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike. E, u shpall i pavlefshëm pas një viti e gjysmë shqyrtim nga kjo gjykatë, më 29 korrik 2024.

Shpërndaje në: