Projektligji për Byronë, opozita e quan veprim elektoral të pushtetit, kërkon interpretim nga Komisioni i Venecias
Lëvizja Vetëvendosje konsideron se nuk ka asnjë arsye që ky projektligj të mos përkrahet nga partitë opozitare.
Ndërkaq, PDK e LDK thonë se pushteti po e shfrytëzon për lojë politike e fushatë elektorale, për çka kërkojnë sërish interpretimin e Komisionit të Venecias. Po ashtu, konsiderojnë se çdo nismë që vjen tani e tutje në parlament, e ka proceduralisht të pamundur të miratohet.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi thotë për KosovaPress se ky projektligj ka qenë gjithmonë një nga prioritetet e qeverisë.
Sipas tij, pasuria e zyrtarëve të lartë shtetërorë duhet të verifikohet, për çka konsideron se nuk ka arsye që të mos ndodhë miratimi i këtij projektligji.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj konsideron se veprimet e partisë në pushtet janë kryesisht për fushatë elektorale.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se drafti i ri duhet të dërgohet sërish për interpretim në Komisionin e Venecias.