Programi i AAK-së për zgjedhje, Haradinaj: Kosova do ta përmbyll dialogun me Serbinë, e anëtarsim në NATO

Programi i AAK-së për zgjedhje, Haradinaj: Kosova do ta përmbyll dialogun me Serbinë, e anëtarsim në NATO

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të dituar se në kuadër të programit për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2024 e kanë edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se Kosova do të jetë aty ku e ka vendin, në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe kjo nuk realizohet duke u udhëhequr nga regjime autoritare, “që për pushtet shkelin gjithçka, edhe shtetin”.

“Kosova mund të jetë vend i sigurt e i pacenueshëm, vetëm duke qenë pjesë e NATO-s dhe për të qenë pjesë e Aleancës Globale të Sigurisë, Kosova duhet të jetë ndryshe. Ndryshe do të thotë kur vendimet e mëdha, i harmonizon me ata që sot janë garantë të paqes e të sigurisë, me NATO-n, Amerikën e BE-ne. Që Ushtria e Kosovës, të jetë e profesionale, e përgatitur, e zhvilluar dhe e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, e jo që pjesëtarët e saj të përballen me mungesa të skajshme sa që ta braktisni në masë atë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka pohuar se për të qenë pjesë e NATO-s, duhet të funksionojnë standardet demokratike, që pushtetet të jenë të ndara, sipas tij, jo siç është sot, ku për qeverinë ai thotë se  e sulmon gjyqësorin sa herë që atakohen eksponentët e saj për korrupsion e “hajni”.

“Që të mos e shtypim lirinë e shprehjes dhe të medias si në Korenë e Veriut; Më në fund që t’u rikthehemi miqve e partnerëve strategjikë e ta ç’rrënjosim farën antiperëndimore e antiamerikane që e ka mbjellë kjo qeveri”.

Ndër tjera, ai ka përmendur edhe përmbyllja e  dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrimin në BE.

Sipas tij, Kosova duhet t’i shemb themelet e autonomisë për komunat me shumicë serbe që me veprimet apo mosveprimet e veta, “i ka vendosur pushteti i sotëm”.

“Kosova do ta përmbyll dialogun dhe t’i rikthehet marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe obligative me njohje reciproke. Një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke e do të vendoste paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës. Kosova do t’i përmbush të gjitha obligimet e saj në bashkëpunim me aleatët, posaçërisht ShBA”.

“Aleatët kurrë nuk e kanë tradhtuar Kosovën. Integrimet Euroatlantike janë jo vetëm aspiratë e jona, janë gjithçka për Kosovën dhe rrugë e vetme drejt prosperitetit dhe paqes së përhershme. Anëtarësimi në të gjitha strukturat euroatlantike është jo vetëm e drejtë por edhe  obligim i këtij brezi. Ne duhet t’i kryejmë detyrat e shtëpisë dhe në  këtë mandat gjithçka do të jete e fokusuar ne implementimin e obligimeve që ka Kosova  ndaj procesit integrues” , ka thënë Haradinaj.

Shpërndaje në: