Profesori amerikan: Trump mund të zvogëlojë mbështetjen politike për Kosovën nëse s’pajtohet me disa lëshime në negociatat me Serbinë

Profesori amerikan në pension dhe eksperti i politikës ballkanike, Alon Ben Meir në një artikull autorial të botuar në platformën “Emergin Europe”, theksoi se qeveria e re në Kosovë duhet t’i përafrojë prioritetet e saj të brendshme me pritshmëritë e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Ben Meir ka vlerësuar se një nga sfidat më të mëdha për Kosovën në këtë moment do të jetë menaxhimi i marrëdhënieve me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, duke qenë se ai ka një qasje transaksionale ndaj politikës së jashtme dhe mund të zvogëlojë mbështetjen për Kosovën, veçanërisht në negociatat me Serbinë.
“Qasja transaksionale e Trump ndaj politikës së jashtme mund të zvogëlojë potencialisht mbështetjen politike për Kosovën nëse ajo nuk pajtohet me disa lëshime në negociatat me Serbinë. Trump kërkon në mënyrë jokonvencionale një zgjidhje të shpejtë për çdo konflikt, pavarësisht nga kompleksiteti i tyre”, shkroi ai.
Një nga çështjet më shqetësuese, sipas Ben Meir, është mundësia e kthimit në idenë e shkëmbimit territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai vlerësoi se korrigjimi i kufijve është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mund të krijojë tensione të reja në rajon.
“Ky propozim mund të nxisë dhunë dhe të legjitimojë kufijtë etnikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat do të cenonin integritetin territorial të Kosovës dhe mund të përbënin një precedent të rrezikshëm për shtetet e tjera të rajonit”, nënvizoi ndër të tjera Ben Meir.
Sfida e dytë e madhe, sipas tij, është roli i NATO-s dhe garancitë e sigurisë për Kosovën. Ai paralajmëroi se Trump ka një histori tërheqjeje nga angazhimet ushtarake jashtë vendit dhe se mund të rishqyrtojë praninë amerikane në KFOR.
Në këtë situatë të komplikuar, ai e konsideron jetike që Kosova të forcojë lidhjet e saj me BE-në. Ai kujtoi se marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit janë përkeqësuar vitet e fundit, duke bërë që BE të vendosë sanksione ndaj Kosovës.
Ben Meir shtoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëse formon qeverinë e re, duhet të mësojë nga katër vitet e kaluara në pushtet dhe të mos përsërisë gabimet që kanë tronditur masivisht marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në.
“Kryeministri i ri i Kosovës duhet të deklarojë gatishmërinë e tij për të punuar ngushtë me administratën e re të Trump dhe të mbajë një qëndrim më pak nacionalist, duke punuar për të përmbushur pritjet e BE-së”, përfundoi Ben Meir.