Procesi i numërimit të votave mund të zgjasë deri në dy javë
![Procesi i numërimit të votave mund të zgjasë deri në dy javë](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/01/votat-400x300.jpg)
Përfundimi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit pritet të merr kohë deri në dy javë.
Kështu ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili shtoi se në të njëjtën periudhë kohore do të bëhet edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga diaspora.
KQZ sot në mbledhjen e radhës njoftoi për anulimin e 529 zarfeve me fletëvotime nga diaspora për shkak të parregullsive. Ndërkaq, u theksua se numërimi i votave për kandidatët për deputetë në qendrat komunale të numërimit ka nisur në 18 komuna, ndërkaq në tetë të tjera do të nisë sot.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se meqenëse s’ka nisur me kohë numërimi në të gjitha qendrat komunale ky proces pritet të përmbyllet brenda dhjetë dite apo maksimumi dy javë.
“Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit për të parë se si po shkon atje procesi, nuk e kemi bërë një vlerësim se sa do të zgjatet tërë procesi për t’u përmbyllur numërimi, por një e përafërt do të jetë 10 ditë, dy javë”, ka thënë Radoniqi.