“Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjskë mund të zgjasë 5-6 vjet”
Një ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin e një viti më parë në Banjskë të Zveçani, kryeministri Kurti tha se duhet analizuar përmbajtja e saj përpara se të flitet.
Sipas tij, aktakuza ka mundur të ngrihet më herët.
“Nuk e kam parë aktakuzën jam i bindur që ka mund të ngrihet shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Natyrisht siç thotë populli ynë ‘më mirë vonë se kurrë’. Por megjithatë duhet ta shohim përmbajtjen e saj në mënyrë që të mund të flasim për të”, tha Kurti.
Ngritja e aktakuzës për sulmin në Banjskë shtoi pritshmëritë për ndëshkimin e Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian.
Por bashkimi Evropian ndonëse vazhdimisht kishte thënë se është në pritje të përfundimit të hetimeve për të marrë veprime ndaj Serbisë, tani kur ato përfunduan thotë se duhet pritur përfundimin e procesit gjyqësor.
“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe ka ngre aktakuzat relevante. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tash nis procesi gjyqësor. Ne presim përfundimin e procesit. Kemi thënë atëherë në fund shtatorit të vitit të kaluar se ky sulm përbënte një eskalim të qartë e paprecedentë dhe do të ketë pasoja.Kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor e kush është përgjegjës apo pafajshëm, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi. Ne kemi një gamë të instrumenteve që mund të përdorim në konsultim me shtetet anëtare. Nuk jemi ende aty. Procesi gjyqësor ka nisur. Me rëndësi hetimi ka përfunduar. Tash gjykata duhet të vendosë nëse përfundimet e hetimit janë të kënaqshme. Do të shohim përfundimin. Është logjike çdo hetim pasohet nga procesi gjyqësor. Hetimi krijon konludimet e caktuar e ato dorëzohen në formë aktakuze. Tash procesi gjyqësor nis. Kjo është procedurë gjyqësore dhe nuk të ndërhyhet. Është pjesë procesi. Kur përfundohet e gjitha, atëherë është koha për të tjerët të komentojnë e t’i nxjerrin pasojat”., tha Stano.
Përderisa BE-ja thotë se për ndëshkimin e Serbisë duhet pritur përfundimin e procesit gjyqësor, Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese, për çka unionit iu deshën vetëm një muaj kohë për vendosjen e tyre, pas tensioneve në veri të vendit në maj të vitit të kaluar.
Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se ndëshkimi ndaj Serbisë për këtë sulm duhet të ndodh sa më parë që të jetë e mundur.
“Tashmë është konfirmuar jo vetëm nga ne por edhe nga partnerët ndërkombëtar që Serbia e ka orkestruar këtë agresion ndaj shtetit tonë rrjedhimisht do duhej te jepnin një përgjigje për këtë situatë dhe është për t’u përshëndetur kjo aktakuzë. Pas ngritjes se aktakuzës dhe gjithë atyre informatave mendoj që kjo duhet të adresohet sa më shpejtë në mënyrë që shteti dhe presidenti i Serbisë të jete një garanci për vullnetin për dialog përndryshe nëse s’ka lëvizje në këtë drejtim kjo tregon se Serbia nuk është shkëputur ende nga idetë e vjetra …”, tha për rtv21, Mirsad Shkreta nga Vetëvendosje
Opozita ndërkaq thotë se është koha që BE-ja sa më shpejtë t’ia heq masat Kosovës dhe ta ndëshkojë Serbinë për sulmin në Banjskë.
“BE-ja duhet t’ia heqë masat Kosovës dhe t’ia vendos Serbisë…Serbia ka qenë fajtore ata janë grup kriminal prokuroria duhet me kry punën e vet dhe Be-ja duhet ta dënojë me masa më të rrepta atë sulm”.
Por sa mund të zgjasë procesi gjyqësor ndaj 45 të akuzuarve për sulmin në Banjskë, përfundimin e të cilit po pret BE-ja për të vepruar ndaj Serbisë?
“Nga momenti i ngritjes se aktakuzës kodi i procedure penale kërkon që seanca e parë e shqyrtimit fillestar të mbahet brenda 30 ditëve sipas legjislacionit në fuqi në kë procesi gjyqësor pritet të përfundojë brenda 120 ose 158 ditëve. Mirëpo duke parasysh kompleksitetin e këtij rasti nr e madh të provave dhe të të akuzuarve nuk besoj dhe nuk është e pritshme që ky proces të përfundoj në një afat të shpejt kohor,,,rastet e tilla me këtë kompleksitet maksimalisht mund të zgjasin në një afat 5 deri 6 vite. Po ashtu marrë parasysh që…”, tha Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës
Aktakuza për 45 persona përfshirë Millan Radoiçiqin, u ngit nga prokuroria Speciale e Kosovës në prag të 1 vjetorit të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.