Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së rinis javën tjetër
Brenda një jave Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi paraqiten në gjykatore 4 herë, tash e më shumë se një vit.
Ish-krerët e UÇK-së, janë duke qëndruar në paraburgim në Hagë për gati 4 vjet, nën akuzat për krime lufte.
Por, i gjithë ky proces e këto akuza të rënda ata janë duke i përballuar mirë e në gjendje të mirë emocionale, tregojnë nga ekipi mbrojtës i ish-Presidentit.
“Gjendja fizike dhe mendore e z.Thaçit e të gjithë atyre që janë të paraburgosur në Hagë është kryesisht e mire e stabile sepse ata kanë qenë të përgatitur për sfida të tilla, ndërsa për nga aspekti human është një humbje e madhe jo vetëm për familjarë të ngushtë por për të gjithë shoqërinë kosovare, andaj po them që sa më shpejt që merr fund ky proces është më mirë, dhe në favor të drejtësisë”, ka thënë Bekim Çollaku – Pjesë e ekipit të Hashim Thaçit.
Çollaku, i cili është pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-presidentit Thaçit, shpreson që ky proces do përfundojë në një afat optimal e duke mos u zvarritur siç ka ndodhur deri më tash.
“Jemi duke folur për një proces i cili është shoqëruar me shumë të panjohura për një proces tepër kompleks, e maratonik nëse paneli i gjykatësve u përmbahet afateve që i ka përcaktuar vetë, të cilat janë valide si për prokurorinë dhe mbrojtjen ne presim që ky proces të futet me një fazë dinamike, dhe prokuroria duhet të përfundoje me deshmite deri në prill të vitit të ardhshëm”, është shprehur Çollaku.
Dhomat e specializuara në Hagë, pas pushimit veror do të nisin me seanca, javën tjetër, derisa sipas avokatit Artan Qerkini, në muajt në vazhdim pritet të merret një vendim i rëndësishëm në këtë proces.
“Në sesionin vjeshtor, të seancave gjyqësore në rastin Thaci dhe të tjerët, pritet që Gjykata të e merr një vendim shumë të rëndësishëm të spektit procedural, në muajin tetor është paralajmëruar një vendim i trupit gjykues që ka të bëjë me numrin e dëshmitareve dhe shpresojm se do të vendos të reduktojë numrin e dëshmitareve të prokurorisë, dhe nëse vendos dicka të tillë si rrjedhojë do të ndikojë që të përshpejtohet procedura dhe rasti i prokurorisë të përfundojë më heret, e të vazhdojë me mbrotjen”, ka thënë Artan Qerkini – Avokat i akredituar.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur në prill të vitit 2023, derisa në paraburgim janë që nga viti 2020. Për më shumë se një vit janë dëgjuar mbi 100 dëshmitarë.