Problemi nuk janë veteranët e rremë, por veteranët e vërtetë
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ishte as ushtri, as çlirimtare dhe as e Kosovës. Edhe kjo mund të thuhet kur dihet se nuk rridhte nga institucionet paralele të asokohshme [dmth nuk kishte mekanizma të mbikëqyrjes] dhe organizimi ishte i tmerrshëm [mbase, lista e ushtarëve dhe detyrat e tyre shkruheshin në fletore të thjeshta shkollore]. Nuk ishte çlirimtare – sepse ia dha vullnetshëm të drejtën e çlirimit ‘imperializmit amerikan’. Dhe mund të thuhet që s’ishte e Kosovës [nga kjo perspektivë] sepse mësynte bashkimin me Shqipërinë.
Çka ka të keqe në paragrafin e mësipërm? Mbase se lëkundet rrëfimi i deritashëm për të, dhe lëkundet edhe vetë emri që iu vendos. Por, e vërteta është se kjo e bën edhe më të çmueshme sakrificën që ishte i gatshëm ta bënte ai grup njerëzish. Derisa LDK-ja mbante mbledhje të kota të premteve dhe shumë intelektualë të tjerë llomotisnin kot – në një kohë kur diskriminimi i tmerrshëm mbi baza etnike veç sa shtohej – disa njerëz guxuan t’i rrekeshin një lufte të armatosur, që përngjante me rrëfimin biblik të Davidit me Goliatin.
Kësisoj, lufta u bë vlerë dhe u kultivua ideja e vlerave të luftës, bile edhe në kurriz të të të shtypurve, të ndërtimit të një strukture sociale që gjeneronte pabarazi të mosvetshme, dhe të një skeme prodhimi që në vend se prodhojë, pordhon. Problemi i sotëm me ‘veteranët e rremë’ nuk janë vetë veteranët e rremë – shumica e të cilëve, me shumë gjasë janë viktimë e pabarazive që ka krijuar kjo formë funksionimi. Problemi janë pikërisht veteranët e vërtetë – të cilët tashmë i kanë harxhuar këto vlera. Faji nuk qëndron veç te ata që dolën nga anonimiteti dhe u bënë përfaqësues politikë – por edhe te pjesa anonime e veteranëve të vërtetë që bëri ato zgjedhje që bëri. Sepse, ajo nuk u revoltua asnjëherë seriozisht dhe nuk provoi asnjëherë të ndikonte në rrjedhën që mori shtrirja e pushtetit nga bashkëluftëtarët e tyre joanonimë. Përkundrazi, u përkrahën në vazhdimësi – dhe madje, përvjedhurazi këto vlera u përçuan në të gjitha partitë politike [edhe në LDK], dhe e krijuan një parti tjetër politike që do t’i legjitimonte e arsyetonte edhe më mirë [Vetëvendosje].
Qe dy dekada, në baza të përditshme, vlerat e luftës janë në përdorim të pakursyer nga veteranët. Natyrisht, si në çdo skemë tjetër përfitimesh, një pjesë e madhe e veteranëve të vërtetë u degdisën në fate mjerane. Dhjetëra të tillë kryen vetëvrasje. Askush nuk u mor me traumat që mund të kenë pësuar në luftë – dhe nga veteranët e vërtetë joanonimë, këto trauma u përçuan edhe në ligjërimin politik.
Metodologjia e shtrirjes së pushtetit nga PDK-ja dhe AAK-ja, me një klientelizëm ashiqare, me një vulgaritet të tmerrshëm – i fëlliqi vlerat e luftës. Sepse, nuk ishte thjesht mungesë e dijes, por ishte politikë goxha traumatike. Ajo nuk tregonte për ndonjë dije të hollë, ose për një kapje të mirëmenduar të institucioneve, por për një kapje idiote e të shfrenuar.
Ramush Haradinaj, aktualisht kryeministër, vendimet e tij politike i arsyetoi para gazetares Jeta Xharra me përgjigjjen: “m’u ka tekë”. Në një rast tjetër, në mënyrë krejt të papritur ai ia futi vrapit midis sheshit. Pastaj, dha intervistë qesharake për një televizion joserioz serb. Këto mes shumë e shumë tjerash. Hashim Thaçi ndërkohë, belbëzonte para disa javësh në Bruksel në prani të Mogherinit “Kosovo, EU, family” si ndonjë palaço. Në aferën “Pronto” u dëgjua duke përdorur frazën “me lujtë koqe me opozitën” si një interpretim naiv i një takimi me Clintonin. Kadri Veseli poashtu di që shpesh të dalë nga kontrolli dhe të shahet me fjalorin më të ndyrë të mundshëm me deputetët e tjerë të kuvendit.
Kapja e institucioneve nga këta njerëz nuk është e sofistikuar – pavarësisht që ekziston një prirje për ta menduar si të tillë. Ky grup njerëzish nuk mund t’i nënshtrohet kurrfarë analize të mirëfilltë e konsistente, sepse kësisoj të gjithë do të futeshim në mendjen traumatike të tyre dhe do të mbërthehemi aty. Tashmë, ata e kanë bërë trillin e një varg gjërash me të cilat ne merremi përditë: veteranë të rremë, profesorë të rremë, politikanë të rremë, heronj të rremë, rrethana të rreme, gazetarë të rremë, e një shtet të rremë – kjo si rezultat i dijes jopolitike, e cila është ekuivalente me budallallëkun ose çmendurinë [si e vetmja dije jopolitike që ekziston]. Dhe kjo botë e trilluar rrezikon të na bëjë të gjithëve personazhe të trilluara, me role të trilluara për të performuar.
Bota e vërtetë është pak më ndryshe. Njerëzit e kualifikuar punojnë ndryshe. Jo veç këta, por të gjithë meritojmë rehabilitim. Dhe përballje me të vërtetën. /Periskopi