Problemi i Kishës zgjidhet kur ta përzëmë nacionalizmin nga aty

Problemi i Kishës zgjidhet kur ta përzëmë nacionalizmin nga aty

Mendoj se huqja kryesore në debatin e ndertesës që pretendohet nga Kisha Serbe në kampusin universitar është konsiderimi i Kishes Serbe si institucion fetar. Kisha Serbe është institucion etnik e kombëtar ku në identitetin e saj pjesa kombëtare dominon dukshëm mbi atë fetare. Kjo vlen gati se për të gjitha kishat autoqefale ortodokse.

Konsiderimi i të gjithë njerëzvë si krijesa të barabarta të zotit është vlerë fundamentale e kishës katolike, fesë islame, budizmit dhe feve të tjera me numër të madh të besimtarëve në botë. Ndërsa në rastin e kishave autoqefale ortodokse, kombi të cilit i takon kisha konsiderohet i veçantë nga pjesa tjetër e njerëzimit.

Ky lloj i interpretimit të fesë në esencë konsiderohet johuman pasi që nuk i konsideron të gjithë njerëzit si të njëjtë, pra të barabartë që në lindje. Në të shumtën e rasteve, kjo çasje madje mundëson keqpërdorimin e fesë/kish;s për qëllime politike. Kështu ka ndodhur me Kishen Serbe në vitet 80 dhe 90 dhe deri diku përdorimi i kësaj Kishe për propagandë shoveniste, vazhdon ende.

Në parim, të gjitha levizjet fetare që në emër të zotit mobilizojnë masat për të luftuar njerëz të tjerë, janë të këqija dhe jo humane. Më së mirë do të ishte që feja të mos jetë fare pjesë e domenit publik dhe të mbetet diçka në mes të individit dhe zotit sikur që edhe predikohet në shumicën e librave të shenjtë. Me sa e di unë, as në Tevrat, në Bibël apo në Kuran nuk kërkohet që të ndërtohen ndërtesa për takime kolektive të besimtarëve si: Sinagoga, Kisha apo Xhamija. Të gjitha këto ndërtesa dhe kolektivizimi i fesë janë shpikje të mëvonshme të njerëzimit- për përdorim te fesë për qëllime politike. Por megjithatë, rasti i kishave autoqefale është më ndryshe pasi që ato japin hapësirë jo vëtem për shfrytëzimin e fesë por edhe për shfrytëzimin e idesë së kombit për nevoja politike.

Në shekullin 18, Kisha Serbe e përdori idenë fe-komb për t’i mobilizuar masat për çlirim nga pushtimi Osman. Në kuadër të këtij procesi krijoi mitin e popullit të lashtë që në krye me heroin kombëtar (Llazarin) duke u vetflijuar ka mbrojtur dyert e Evropës nga “barbarët mysliman” . Nuk vonoi shumë dhe edhe popujt tjerë të ballkanit adoptuan mite të ngjashme duke rizbuluar heronjtë e tyre mesjetar dhe duke u vetshpallur mbrojtës të civilizimit Evropian.

Por në kuadër të këtij narracioni, Kisha Serbe, me apo pa vetdije, prezantoi edhe idenë e nacionalizmit biologjik apo nacionalizmit racist. Sipas këtij narracioni “serb lind, nuk bëhesh” Pra kombi Serb jo vetëm që është popull i zgjedhur nga zoti por edhe gjenetikisht është i veçantë dhe i “pastër”, ndryshe nga popujt fqinj dhe të gjithë popujt tjerë në botë. Kjo ishte edhe pjesa më e rrezikshme e këtij narracioni, pasojat e të cilit jemi duke i vuajtur ende i tërë gadishulli Ballkanik. Sikur edhe në aspektin e përgjithshëm të krijimit të mitit mbi kombin, edhe në këtë pikë, popujt tjerë të ballkanit e kopjuan kishen Serbe gjatë ndërtimit të identiteteve të tyre kombëtare.

Ky përjetim i identiteti kombëtar, fillimisht i promovuar nga Kisha Serbe, rezultoi në vrasje makabre të popullatave civile në fund të viteve 1800 dhe në fillin e viteve 1900. Ndërsa më vonë e njëjta u përsërit edhe në luftërat e viteve 1990 në Bosne dhe Kosovë.

Prandaj, kur kundërshtohet funksionalizimi i ndërteses së papërfunduar të Kishes Serbe në kampusin Universitar duhet të bëhet e qartë se e kundërshtojmë pjesën “kombëtare” e jo pjesën “fetare” të Kishes. Pasi që pjesa “kombëtare” e diskursit zyrtar të Kishes Serbe është jo vetëm nacionaliste por edhe johumane dhe raciste. Madje edhe nëse në emër të këtij narracioni kombëtar nuk do të ishin kryer fare krime, prapë do të mbetej raciste dhe johumane. Pasi që krimet janë kryer si rezultat i përjetimit të këtij narracioni si të vërtetë nga shumica popullit Serb.

Por nga ana tjetër, kundërshtimi i kësaj ndërtese nga perspektiva e njëjtë nacionaliste-raciste nuk është fare kundërshtim i “kombëtarizmit” që përfaqëson kisha sepse e përdorë të njëjtën të njëjtën ide në të njëjtën mënyrë.

Pra për të kundërshtuar idenë që përfaqëson kjo Kishe, medoemos duhet të distancohemi nga nacionalizmi racist si tërësi, pra edhe nga ai shqiptar. Vetëm në këtë mënyrë mund të arsyetojmë në kuptim moral dhe etik ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve kundërshtimin tonë.

Në këtë rast ndoshta do të mund të ndikonim edhe në zërat e moderuar brenda Kishes Serbe dhe brenda popullit Serb në tërësi që të distancohen nga retorika nacionaliste dhe përfundimisht të shohin me sy kritik mitologjinë kombëtare të krijuar nga Kisha Serbe dhe pasojat e kësaj mitologjie.

E atëherë, ndërtesa e Kishes edhe mund të mbetej aty sepse kjo nuk do të kishte rëndësi fare.

Nacionalizmi nuk luftohet me nacionalizëm. Përkundrazi një nacionalizëm është vetëm se ushqim për nacionalizmin tjetër.

Shpërndaje në: