Problem i UP-së nuk asht kisha por analfabetizmi

Problem i UP-së nuk asht kisha por analfabetizmi

 

Këto ditë asht riaktualizu çashtja e kishës në oborrin e UP-së. Në nji anë kërkohet funksionalizimi i saj ndërsa në tjetrën, rrënimi. Të parët janë disa serbë ndërsa të dytët disa kosovarë. Në mes asht nji kontest pronësor i cili vazhdon me u zhvillu. Pra, asht e pakjartë se kujt i takon “me letra” ajo tokë.

Argumenti i kosovarëve asht që kisha në fjalë, nisi me u ndërtu në kohën e luftës, kur regjimi i Millosheviçit po na ndjekte, rrihte e vriste. Poashtu, përmendet “cënimi i karakterit laik” të Universitetit publik – tu qenë se toka ku asht kisha, pretendohet se i takon Universitetit. Shpend Ahmeti tregoi se çashtja asht në gjykatë. Prandaj, edhe argumenti i dytë nuk asht valid derisa të merret vendimi nga Gjykata.

Por çashtja shkon përtej këtij kontesti pronësor. Çashtja asht politike dhe meriton zgjidhje politike. Asht e kjartë: edhe në rast se merret vendim që prona i takon kishës, kjo nuk ka me u pranu prej kosovarëve. Kanë me e ripërmend “kohën” e ndërtimit të saj.

Por në atë rast kisha duhet me u funksionalizu. Pikë. Kushdo që e don vendin e tij, nuk mun me qenë indiferent ndaj imazhit që reflektohet jashtë. Jemi në demokraci, në kohën e kinemasë, dukjes, imazhit, hijeve të shpellës së Platonit – prandaj diskurset platonike anti-imazh që i ravijëzojnë do idealitete të kullueme, që na thotë, na lodhët me imazhin, qëndrojnë thellë në gabim. Qysh qëndronte dikur Sokrati bashkë me Platonin. Nuk ka botë jashtë imazhit. Harrojini botët e pasme – bërtet Niçe. Ajo që nuk duket, derisa të duket, nuk ekziston. Politika në demokraci asht lojë imazhesh, terren sofistësh.

Dhe – qysh shpjegon Sead Zimeri – imazhi i Kosovës damtohet tepër shumë nëse vendosim me e rrënu kishën. Kjo reflektohet kështu: nji vend me shumicë myslimane e rrënoi nji kishë. A kanë randësi arsyet? Zimeri thotë që jo por unë them që po. Imazhi i keq përcillet nëse e pamundësojmë funksionalizimin e kishës edhe në rast se i takojnë ato katër hektarë kishës. Jo në rast se nuk i takojnë. Por gjithsesi imazhi damtohet tepër keq nga rrënimi – në cilindo rast.

***

Pardje, redaksia e Sportit në Periskop e montoi nji video nga arkiva, në të cilën, Prishtina e kishte mposhtur Partizanin e Beogradit me rezultat 1 me 0 në vitin 1986. Kishte aq shumë tifozë sa stadiumi i Prishtinës nuk njihen. Ata vluan si mizat kur Muriqi e shënoi golin. Ndoshta ishin 40 mijë tifozë në nji stadium që nuk i zinte as 20. Pse? Sepse po përballeshim me nji ekip të madh sërb.

Prishtina e sivjetme duket mjaft e mirë. Luan bukur e fiton. Ka në radhët e saj lojtarë që ishin pjesë e Kategorisë e Parë të Ukrainës, si Dallku, Curri e Jonuzi. Ka nji akademi e cila mun me prodhu shumë talentë. Por askush nuk i shikon ndeshjet e saj. Pse? Sepse jemi të kompleksuem. Sepse kemi dëshirë me u tregu në relacion me të tjerët. Sidomos me ata që na shtypën dhe na urryen. Duhet urrejtje dhe komplekse që me u ngrohë zemra.

Sot, për shembull, studentë të UP-së, po e organizojnë nji “lexim” në atë kishë si formë demonstrimi se kisha nuk ka vend brenda hapsinave universitare. Përnjiherë, kur erdhën në pyetje serbët, u shndërruem edhe në lexues e studentë. Përnjiherë, harruem se çfarë fakultetesh i kemi ndërtu në ato hapsina. Duhet me u përmend Sërbia që studentët që sorollaten tanë ditën nëpër kafene, me i kapë librat.

Ne kemi fakultete e biblioteka e hapsina tjera universitare, por nuk lexojmë e nuk studiojmë. Profesorët tanë kanë rroga të mira por janë tepër të papërgjegjshëm dhe të paaftë. Poashtu edhe studentët. Dyert e UP-së u hapën për të gjithë, papërjashtimisht, dijnë a s’dijnë, kanë mundësi studimi apo s’kanë. Dhe nji universitet serioz nuk asht për secilin – kjo dihet. Sidomos jo, për nji shoqni të sapodalun nga analfabetizmi.

Pa pritë u harru që UP-ja asht thjesht vend që i rritë privilegjet për njerëzit e politikës. U harru Dugolli, Et’hem Çeku, Ibrahim Gashi, Argjent Softolli e të tillë.

UP-ja asht strehë analfabetësh. Mos t’i ngurtësojmë këto punë. Problemi i UP-së nuk ishte kisha për gati njizet vjet. Problem ishte shoqnia jonë dhe zgjedhjet e saj. Paditunia e saj.

Shpërndaje në: