Prishtina nga askund futet ‘në valle’ për titull, ky mund të jetë sezoni ku i jepet fund pritjes 8-vjeçare
Prishtina dukej se do të vazhdonte pritjen edhe këtë fushatë për titull të Superligës.
Kryeqytetasit ishin larg lidershipit para përfundimit të stinorit dimëror, por gjërat ndryshuan pas ristartit.
Gabimet e liderëve u shfrytëzuan për mrekulli nga djelmoshat e Zekirija Ramadanit, shkruan Periskopi.
Në fakt, Prishtina me fitoren e sotme kundër Trepçës 89 me rezultat 2-1 kaloi në vendin e dytë me 44 pikë, vetëm një më pak se lideri Ballkani.
Presioni është i qartë mbi skuadrën nga Suhareka, e cila duhet tashmë ta ndjejë ‘nxehtësinë’ e garës, me Dritën që ka po aq pikë sa Prishtina, por gjilanasit kanë një ndeshje më pak të luajtur.
Sigurisht se do të jetë e vështirë, por do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për prishtinasit, të cilët vitin e ardhshëm shënojnë 100 vjetorin e themelimit.
Opinionisti i Periskopit, Andin Lokaj është i bindur se skuadra bardhekaltër në fund do t’ia dalë të triumfojë në trofeun të cilin nuk e ka fituar që nga edicioni 2011/12.
“Edhe pse kanë mbetur 14 ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund, bindja ime personale është që Prishtina në fund të stinorit do të jetë kampion pas 8 vjet pritje,” u shpreh fillimisht Lokaj.
“Po ndihet disi që Prishtina do të triumfojë, është konsolidu si skuadër më në fund, po shihet që as mungesa e Otto John nuk po ndihet, ka kompaktësi brenda dhe mendoj që Prishtinës mund t’ia humbë titullin veq Prishtina.
“Jo që Prishtina po luan ndonjë futboll spektakolar, por skuadrat tjera pretendente për titull nuk janë në nivelin e edicionit të kaluar.” /Periskopi.com/