Prishtina më në fund merr fitore, mposht Feronikelin e vendit të fundit – Dukagjini e Ulpiana ndajnë pikët
Prishtina ka marrë fitoren e parë nën urdhrat e trajnerit të ri, duke mposhtur skuadrën e vendit të fundit në tabelë.
Prishtina shënoi fitore 2:0 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet, në prezencën e krejt pak tifozëve, shkruan Periskopi.
Kryeqytetasit ishin skuadër më e mirë në këtë takim që nga fillimi i ndeshjes, ndonëse në pjesën e parë nuk arritën të gjejnë golin.
Fitorja e Prishtinës u vulos me golin e shënuar nga Leonit Abazi, në minutën e 60’ dhe atë të Tolajt në fund të takimit (88′). Ky gol pati vlerën e tri pikëve dhe sjell fitoren e parë për Prishtinën pas dy barazimeve, kurse vetëm sa thellon krizën e Feronikelit që mbetet në kuotën e 10 pikëve, me shtatë humbje radhazi.
Në anën tjetër, në Klinë, Dukagjini dhe Ulpiana kanë ndarë nga një pikë me njëra tjetrën, shkruan Periskopi.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi, kur në minutën e 55’ Rezi gjeti rrugën e golit. Megjithatë, Dukagjini gjeti forcën për t’u kthyer në lojë, dhe shënoi në minutën e 81’ me anë të Merlakut.
Me këto rezultate, Prishtina shkon në kuotën e 21 pikëve, kurse Ulpiana e Dukagjini numërojnë 17 respektivisht 16 pikë. Feronikeli në rënie të lirë. /Periskopi/