Prishtina hap gjigant drejt titullit, Drita barazon në derbin e Anamoravës

Prishtina hap gjigant drejt titullit, Drita barazon në derbin e Anamoravës

Kanë përfunduar tri ndeshjet e parapara të luhen sot në program nga ora 15:00, në kuadër të javës së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Prishtina ka bërë një hap drejt titullit tre xhiro para fundit, duke mposhtur skuadrën më të dobët të ligës, Besën me rezultat 3-0, shkruan Periskopi.

Golat në fitoren solide të kryeqytetasve i shënuan Krasniqi 19′ dhe John 66′, 76.

Drita, në anën tjetër bëri një hap prapa në garën për titull, teksa u ndal me një barazim në derbin e qytetit kundër Gjilanit.

Fillimisht Gjilani kaloi në epërsi përmes Hajdarit në minutën e 20-të, por ‘Intelektualët’ u përgjigjën në minutën e 59-të duke barazuar përmes Irogues.

Në përballjen tjetër, atë mes Feronikelit dhe Trepçës 89, kjo e para triumfoi me rezultat 3-0. Kujtojmë se 89shi nga minuta e 74-t luajti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Nene.

Kujtojmë se Prishtina tash kryeson me 72 pikë, teksa Drita renditet një pozitë më poshtë me 69 pikë, por mund ta humb edhe këtë pozitë nëse Ballkani fiton ndeshjen e vet nesër. /Periskopi.com/

 

Shpërndaje në: