Prishtina fajëson Beogradin si përgjegjës për gjendjen në veri të Kosovës

Prishtina fajëson Beogradin si përgjegjës për gjendjen në veri të Kosovës

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla i bëri thirrje të shtunën komunitetit ndërkombëtar të dënojë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura, atë që ajo e quajti sjellje dhe gjuhë agresive e armiqësore e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ndaj Kosovës.

Të premten presidenti serb kërkoi rikthimin e gjendjes së mëparshme në veri të Kosovës, çka në Prishtinë shihet si një kërkesë për zhbërjen e shumë veprimeve të nxitura nga vet Beogradi.

“Ajo që ne besojmë se është e nevojshme, për çdo përparim serioz në dialog, është mbajtja e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe nën kontrollin e Bashkimit Evropian. Së dyti, zbatimin e nenit 9-të të marrëveshjes së parë të Brukselit, që nënkupton formimin e drejtorisë rajonale të policisë në veri”, tha Presidenti Vuçiq, duke kërkuar mes tjerash edhe kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në vendet e tyre të punës. Policët, gjykatësit dhe prokurorët serbë dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 në shenjë proteste ndaj shkarkimit nga autoritetet në Prishtinë të një oficeri policie, pas refuzimit nga ana e tij të zbatimit të urdhrave që kishin të bënin me zëvendësimin e targave të makinave serbe, me ato të Kosovës.

Presidenti serb tha se “institucionet serbe” në Kosovë “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe pranë kufirit me Kosovën do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale. Ai paralajmëroi gjithashtu themelimin e prokurorisë që posaçme që do të ndjekë siç tha “të gjithë ata që kryejnë përndjekjen e serbëve në Kosovë, përfshirë serbët që punojnë për shërbimin shqiptar”. Ai shtoi se parlamenti i Serbisë do t’i shpallë të paligjshme dhe të pavlefshme të gjitha aktet që janë miratuar nga Prishtina në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit.

Në një postim në rrjetin Facebook, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se presidenti serb tregoi se nuk ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe të interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare. Gërvalla theksoi se ishte presidenti serb ai që kishte urdhëruar largimin e tyre nga vendet e punës dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë, nuk mund të luajnë tashmë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, po kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve”, shkruante mes tjerash Ministrja Gërvalla.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruante të shtunën se për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb, që ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e vendit.

Kërkesat e tij “janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës”, shkruante Haradinaj, duke nënvizuar ndërkaq se terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe, shtonte ai më tej.

Kërkesat e Beogradit pasuan veprimet e qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele në veri të mbështetura nga Serbia, në fund të muajit gusht.

Vendimi nxiti kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të shqetësimeve se tensionet në Kosovë mund të çojnë në destabilitet më të gjerë në Ballkan. Autoritetet në Serbi mblodhën të shtunën ambasadorët e Bashkimit Evropian, përpara fillimit të asaj që ata e quajtën “një fushate globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave të Serbisë.

Presidenti serb tha se do t’u shkruajë mbi kërkesat Presidentit amerikan Joe Biden, atij rus Vladimir Putin dhe udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndonëse akuzoi Perëndimin, se po qëndron në anën e Kosovës.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian po u kërkojnë Serbisë dhe Kosovës të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre, si kusht për përparimin drejt anëtarësimit në bllok.

Serbia thotë se synimi i saj është integrimi në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, të cilat mbështesin pretendimet e saj mbin Kosovën, që shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e Perëndimit./VOA

 

Shpërndaje në: